Feja
Mehmeti: Myslimanët shqiptarë nuk do të përfaqësohen më nga Blancho
Është vlerësuar si sukses i madh unifikimi i bashkësive shqiptare në Zvicër në një institucion, siç është Bashkësia Shqiptare Islame, e themeluar ditët e fundit, ndërsa ka marrë besimin ta udhëheqë imami i xhamisë së Bernës, Mustafë Mehmeti, i njohur në opinion si predikues i moderuar i islamit. Por, jo të gjithë janë bërë bashkë. Kryetari i sapozgjedhur i Bashkësisë Shqiptare Islame ka pranuar se nuk kanë arritur t’i bashkojnë të gjitha bashkësitë islame shqiptare në Zvicër. E kjo do të thotë se mbetet në agjendën e këtij organizmi islam për të ardhmen. Kryetari i sapozgjedhur ka deklaruar në një intervistë për albinfo.ch se as Blancho, e askush tjetër më nuk do ta ketë mandatin t’i përfaqësojë interesat e besimtarëve shqiptarë myslimanë që janë shumicë në Zvicër dhe se janë unifikuar në Bashkësinë Shqiptare Islame pikërisht për të sfiduar ekstremizmin. Në këtë intervistë Mehmeti e ka kontestuar edhe Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër, duke e cilësuar si hap të ngutshëm dhe pa konsultim me të gjithë imamët.
Albinfo.ch: Si erdhi deri te unifikimi i komunitetit shqiptar islam për krijimin e një Bashkësie të përbashkët shqiptare myslimane?
Mustafë Mehmeti: Në të kaluarën kemi pasur mospajtime që ende ekzistojnë, por më në fund pas një angazhimi shumë të madh të dashamirëve për afrimin e palëve, arritëm që ta kurorëzojmë më 3 mars Bashkësinë Shqiptare Islame në Zvicër. Ky është një sukses i madh, ngase me këtë do t’u përgjigjemi sfidave me të cilat po përballemi ne si komunitet islam në vendin e dytë, të cilin e kemi zgjedhur për të jetuar.
Albinfo.ch: Do të thotë që keni bërë bashkë dy bashkësi shqiptare islame, apo është krijuar krejt një e re?
Mustafë Mehmeti: Kjo nuk është diçka e re, por ka funksionuar me herët me figura të tjera dhe me koncept krejtësisht tjetër, ndërsa ne jemi pajtuar që të kemi një frymë dhe qasje të re brenda Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër. Synimi ynë është që të gjitha bashkësitë islame shqiptare që veprojnë, rreth 70 prej tyre, sot apo nesër t’i bëjmë bashkë edhe ato që aktualisht nuk janë radhitur pas këtij institucioni, sepse do të jetë e vetmja bashkësi që do ta menaxhojë jetën fetare shqiptare islame në Zvicër, ashtu si i përgjigjet edhe interesave gjeostrategjike prej nga vijmë dhe ku jetojmë.
Albinfo.ch: Po pretendoni se jeni gjithëpërfshirës dhe i keni brenda të gjithë myslimanët shqiptarë në Zvicër të të gjitha viseve shqiptare?
Mustafë Mehmeti: Nëse nuk janë përfshirë të gjitha bashkësitë shqiptare, atëherë nuk do ta quajmë Bashkësia Shqiptare Islame. Për atë unë kontestoj shumë unione dhe organizata, të cilat pretendojnë se janë gjithëpërfshirëse dhe unifikuese, por në realitet nuk janë. Bashkësia Shqiptare Islame mund ta vërtetojë që i kemi përfshirë të gjithë nga të gjitha trojet shqiptare, kuptohet me vullnetin e tyre, në radhë të parë Kosovën që janë shumicë, pastaj shqiptarët e Maqedonisë që janë tejet fisnikë, të ndershëm dhe fetarë, pastaj edhe nga Lugina e Preshevës.Po në të ardhmen nëse zgjerohet edhe mërgata shqiptare nga Shqipëria, pse jo.
Albinfo.ch: Me këtë po thoni se e kontestoni edhe Unionin e Imamëve Shqiptarë në Zvicër?
Mustafë Mehmeti: Pak a shumë Unioni e ka kontestuar vetveten, sepse është një hap i shpejtë, pa konsultimin e të gjithë imamëve, ku edhe numri kontestohet. Bëhet fjalë për një grup të caktuar imamësh. Edhe nëse në shoqërinë demokratike në të cilën jetojmë ka të drejtë të formojë gjithkush gjithçka në përputhje me kodet civile, nga ana tjetër, imamët duhet ta kuptojnë se janë vetëm punëtorë në një institucion fetar ose në bashkësi në përputhje me disa rregulla dhe statutin e një xhamie. Pastaj imamët nuk kanë të drejta vendimmarrëse, por grupe a forume kanë të drejtë të formojnë organizata të tilla mes vete. Mirëpo, për t‘i mbrojtur interesat shqiptare-islame dhe për t‘iu përgjigjur sfidave në vendin ku jetojmë patjetër duhet të funksionojë një institucion si Bashkësia Shqiptare Islame.
Albinfo.ch: A ka pasur nisma të tilla më herët për unifikim e faktorit islam shqiptar?
Mustafë Mehmeti: Nisma për unifikimin e komunitetit shqiptar mysliman në Zvicër ka pasur edhe më herët, por që nuk kanë dhënë efekt. Kjo nismë e re është si rezultat i përvojës së hidhur në të kaluarën, për atë edhe do të jetë më e dalluara. Pastaj, nëse ka mbetur dikush jashtë ombrellës së Bashkësisë Shqiptare Islame, mendoj se në agjendën tonë mbetet si prioritet se si t‘i bashkojmë të gjithë shqiptarët myslimanë në të ardhmen. Për këtë kemi edhe shumë punë dhe përgjegjësi të madhe para vetes. Mendoj se nuk do të jetë lehtë, ngase uniteti nuk vjen si dhuratë, as si imponim, por duke zhvilluar debate, dialog të përbashkët dhe duke manifestuar tolerancën ndërmjet shqiptarëve. Edhe në mesin tonë nevojitet toleranca.
Albinfo.ch: Çfarë keni prioritet si Bashkësi Islame Shqiptare në Zvicër?
Mustafë Mehmeti: Mund të them lirisht sot se Bashkësia Shqiptare Islame në Zvicër do të jetë në të ardhmen “fabrika” kryesore për organizimin e jetës fetare të shqiptarëve myslimanë, në veçanti edhe të haxhit dhe organizimeve të tjera. Ne kemi shumë sfida, në fokus të veçantë kur është në pyetje përfaqësimi i interesave të shqiptarëve në Zvicër. Do të thotë ta marrim fatin tonë në duart tona që faktikisht të mos flasë askush në emër të shqiptarëve, që të mos e instrumentalizojë diasporën tonë që nuk është në përputhje me interesat tona gjeostrategjike.
Albinfo.ch: E keni fjalën për Blanchon?
Mustafë Mehmeti: Sigurisht, sigurisht, Blancho edhe shumë Blancho të tjerë që nuk hezitojnë të flasin në emër të myslimanëve. Që edhe ata pretendojnë që kanë një Këshilli Qendror Islamik të Zvicrës që nuk është në realitet as qendror, e as skajor. Ne nuk do të merremi shumë me emra, por ne kemi prioritet që të gjithë ata që nuk e njohin të kaluarën tonë dhe nuk janë të njohur me sfidat aktuale tona nuk mund të jenë aktorë të disenjimit të ardhmërisë sonë.
Albinfo.ch: Si do t‘i qaseni ekstremizmit?
Mustafë Mehmeti: Edhe kjo do të jetë sfidë për Bashkësinë Shqiptare Islame. Ne kemi shumë frikë nga ekstremizmi, ngase kohët e fundit nga proceset që po zhvillohen shumë të rinj, sidomos të gjeneratës së dytë dhe tretë, që nuk kanë shumë njohuri për të kaluarën e këtij populli, në njëfarë mënyre janë pre e disa shkollave të caktuara që po i militarizojnë dhe po i orientojnë në rrugë të gabuara. Prandaj, ne të gjithë po paguajmë llogarinë e këtij lëshimi. Pikërisht edhe për këtë është formuar Bashkësia Shqiptare Islame, që nga ne të prodhohet një frymë e kapshme për të gjithë. Njerëzit të frymëzohen jo me urrejtje, mllef me armiqësi, por me tolerancë dhe dashuri mes vete dhe me të gjithë popujt dhe fetë e tjera. Ka perënduar koha e shoqërive të pastra e etnike, shumëllojshmëria është pasuri e perëndisë dhe si të atillë duhet ta trajtojmë.
Albinfo.ch: A e keni përkrahjen e bashkësive myslimane në Kosovë apo në Maqedoni?
Mustafë Mehmeti: Unë kam një shembull konkret për ketë. Në relacione me bashkësitë islame në Kosovë e në Maqedoni jemi sikur vëllai i madh me të voglin. Ndërmjet vëllait të vogël dhe të madhit duhet të manifestohen disa parime, siç është respekti.Ne duhet të jemi të respektuar. Ne jemi në bashkëpunim të ngushtë dhe interesat e sfidat, posaçërisht kohët e fundit që i kanë ata në vendlindje, ngjashëm janë prezantuar para nesh këtu. Në këtë kontekst, bashkësitë islame vendëse e shohin shumë të arsyeshme që në diasporë të funksionojë një organizatë, e cila në bashkëpunim me ta e zhvillon jetën fetare me qëllim të ruajtjes së imazhit të shqiptarëve dhe duke evituar konfrontimin me interesat gjithëkombëtare.
Albinfo.ch: Nëse janë krijuar këto raporte, me siguri në të ardhmen do të caktoni edhe imamët që do të shërbejnë për komunitetin në Zvicër?
Mustafë Mehmeti: Për ne nuk është prioritet të importojmë imamë prej vendlindjes. Për ne është me rëndësi që komuniteti i këtushëm të arsimohet mirë, të ketë mirëqenie të mirë sociale, të shohë se ka perspektivë në vendin ku jetojnë. Të gjitha këto nuk kryhen me punën e një imami që vjen prej diku.
LEXONI PO ASHTU
E-Diaspora
-
Kurti, me studentët shqiptarë të St.Gallenit, debaton për të ardhmen e Kosovës Debatin me Kurtin, mbi temën "Investimi në të ardhmen e Kosovës" e ka udhëhequr profesori i...
-
Së shpejti do të publikohet fjalori më i madh i gjuhës shqipe
-
Kurti në Cyrih prezanton Kosovën si vend të përshtatshëm për të investuar
-
Kurti niset drejt Zvicrës për takim me mërgatën
-
Kroaci: Përurohet shtatorja e “Nënë Terezës” në Osijek
Jeta në Austri
-
Çfarë duhet të dini për jetesën në një apartament të përbashkët në Austri Të jetosh në një banesë të përbashkët – ose një Wohngemeinschaft (WG) – është e zakonshme...
-
Tregu i parë i Krishtlindjeve në Vjenë i vitit 2024, do të hapet më 7 nëntor
-
Austri: Turizmi goditet nga përmbytjet, por vera shënon rekord të ri
-
Mbrëmje e madhe e boksit në Austri
-
Kërcënimet me bombë, hetime të pavarura në Austri dhe Zvicër