Kosova

Lushtaku pas aktgjykimit për rastin “Drenica 1”: Drejtësia dëshmoi pafajësinë time pas 13 vitesh

Sami Lushtaku ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të pafajshëm edhe për akuzat që lidhen me ndikimin ndaj dëshmitarëve në rastin “Drenica 1”, i cili ishte ngritur nga Prokuroria e EULEX-it.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Lushtaku tha se me këtë vendim mbyllen proceset gjyqësore që, sipas tij, kanë zgjatur plot 13 vjet.

Ai theksoi se akuzat ndaj tij kishin për synim dënimin e tij, duke pretenduar se ato ishin mbështetur në deklarata dhe dëshmitarë të rremë.

“Sot, ashtu si në të gjitha proceset e mëparshme, gjykata konfirmoi pafajësinë time dhe më shpalli të pafajshëm për çdo akuzë të ngritur ndaj meje. Kam besuar gjithmonë se e vërteta nuk mund të mposhtet dhe se, pavarësisht sfidave, vonesave dhe padrejtësive, ajo në fund do të triumfojë”, ka deklaruar Lushtaku.