Lajme

Kurti mban tubim në Cyrih

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur tubim në Cyrih të Zvicrës

Në Cyrih, Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti është duke mbajtur takim me mërgatën shqiptare, shkruan albinfo.ch.

Tubimi po mbahet në sallën “The Hall” në Dübendorf.

“Do të përqendrohemi në sigurinë dhe rritjen energjetike të Kosovës, konkretisht në termocentralet e KEK-ut po vazhdojnë investimet që e sigurojnë për 20 vitet e ardhshme. Do ta rrisim kapacitetin e prodhimit dhe do ta ulim ndotjen në përputhje me standard të BE-së.

Filterët që do të vendosën në Kosova B do ta ulin emetimin e pluhurit për 97 për qind dhe emetimin e oksideve të azotit për 76 për qind, se e di që ju bashkatdhetarë kur vini në vendlindje ndotja që ekziston te ne, iu pengon shumë”.

Lideri i VV-së pretendoi se opozita po synon ta vonojë formimin e Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“Inati i vitit të kaluar i opozitës ka rënë, por jo krejt, sepse duhet të bjerë pas 7 qershorit. E di që po na vonojnë, por edhe ne nuk ndalemi. Unë jam kryeministër në detyrë, e herë me detyrat e kryeministrit, kemi edhe presidenten në detyrë. Nuk kemi Kuvend, por ai do të bëhet. Punët e shtetit dhe funksionimi i Qeverisë nuk ndalen asnjëherë.

Po duan të na vonojnë se e kanë shumë hall Byronë. Atë e kanë shumë hall, por për besë nuk mund të mendosh që hektari i tokës së Kosovës, që është larë me djersë e gjak, të blihet me 50 euro e të bëhet i yti. Nuk mund të paguash një ari 3 euro e të mendosh që bëhet i yti”, u shpreh ai.

“Kemi respekt për të gjithë ata që sakrifikuan e kontribuuan për çlirimin e Kosovës, bashkimin e për pavarësinë e Republikës. Mirëpo, çfarëdo kontributi, çfarëdo sakrifice që ka bo cilido prej nesh nuk është leje për korrupsion e për pasurim”, deklaroi Kurti.

Ai ka thënë se patriotizmi dhe korrupsioni nuk mund të bashkëjetojnë.

“Prandaj, ne themi në çdo tubim, nuk ka edhe patriot edhe hajn. Ose patriot, ose hajn. Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar. Ose çlirimtar, ose zullumqar. E ne jemi bashkë me juve si patriot e çlirimtar kundër hajnave e zullumqarëve”, u shpreh ai.

Ai kritikoi edhe, pa përmendur emra, ish-udhëheqës politikë të pasluftës, duke thënë se “pushimi” nga angazhimi patriotik është shndërruar në korrupsion.

“Jemi për patriotizmin demokratik emancipues, kundër nacionalizmit autoritar hegjemonist. Patriotizmi është punë pa pushim. Në këto vitet e pas luftës kemi shembuj të dikujt që ka qenë patriot, po masnej tha po pushoj pak. E ju e dini çka i bien pushimi, pushimi i bien korrupsion”, përfundoi Kurti.

Ndërkohë, një ditë më vonë, më 24 maj, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës do të organizojë një takim me diasporën në Winterthur.

Në këtë aktivitet do të marrin pjesë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Takimi do të mbahet në ambientet “Royal Palace”, në adresën Holzwingerstrasse 42, duke filluar nga ora 14:00. Organizatorët kanë ftuar bashkatdhetarët të marrin pjesë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me diasporën dhe rolin e saj në proceset politike dhe zhvillimin e Kosovës.

Tubimet në Zvicër konsiderohen pjesë e përpjekjeve të partive politike për mobilizimin e votuesve në diasporë, të cilët tradicionalisht kanë një rol të rëndësishëm në zgjedhjet në Kosovë.