Kosova

Kurti i çuditur me raportin e DASH-it: S’ka më korrupsion

Kryeministri Albin Kurti është shprehur i çuditur me raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut. Ai ka thënë se DASH-i nuk ka cituar disa organizata që tregojnë progresin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Raporti i DASH-it ka nxjerrë se nuk pati ndryshime domethënëse gjatë vitit 2023 për situatën e të drejtave të njeriut në Kosovë. Aty si probleme më serioze janë theksuar pavarësia e gjyqësorit, kufizimet ndaj lirisë së shprehjes dhe mediave, korrupsioni i qeverisë, dhuna me baza gjinore, e kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike.

“Natyrisht që ka edhe kritika për ne, por nëse shikoni raportin e vitit 2019, sot Kosova ka progres të jashtëzakonshëm dhe ajo që mua më çudit është që në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk citohet për shembull Freedom House, nuk citohet Transparency International, dhe po të citoheshin, do të duhej të lëvdohej Kosova”, ka thënë Kurti në një intervistë për DW.

Kurti ndër tjerash ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ka thënë se gjithçka duhet të jenë në përputhje me ligjshmërinë, kushtetutshmërinë, interesin publik dhe në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve serbe.

Duke e pohuar Asociacionin si pjesë të marrëveshjeve të nënshkruara vite më parë, Kurti ka theksuar se Asociacioni bëhet “larg asaj që ka kërkuar Beogradi, si në Bosnjë, që tash edhe faktori ndërkombëtar, evropianët dhe amerikanët, natyrisht që e kundërshtojnë duke pasur parasysh se çfarë pasojash shkaktoi ajo në Bosnjë”.

Zëdhënësi i Qeverisë “zbut” kritikat e DASh dhe FH: S’ka më korrupsion “endemik” e të “shfrenuar”

Javën që po e lëmë pas, u publikuan dy raporte ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin për të Drejtat e Njeriut, tha se ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

DASh: Raportime të shumta për korrupsion në Qeverinë e Kosovës – politikanët tentuan të frikësojnë gazetarët

Ndërkaq, të mërkurën, edhe organizata Freedom House publikoi raportin për Kosovën duke vlerësuar se ky vend vazhdon të jetë pjesërisht i lirë dhe nuk ka shënuar përparim, në veçanti në çrrënjosjen e korrupsionit dhe ndikimin politik në institucionet e drejtësisë.

Raporti i FH për gjendjen e demokracisë në Kosovë ngre shqetësime edhe për lirinë dhe pavarësinë e mediave, si dhe përdorimin e dhunës, duke marrë për bazë trazirat në pjesën veriore të Kosovës pas zgjedhjeve lokale të prillit 2023 dhe sulmin e grupit të armatosur serb në fshatin Banjskë, në të cilin u vra një polic i Kosovës.

Në linjë me shefin e tij u shfaq edhe zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili bëri krahasime me raportet të viteve të mëparshme të DASh-it dhe të “Freedom House”, teksa problemet e shpërfaqura në raport i quan “të trashëguara”.

“Raportet e Departamentit të Shtetit Amerikan dhe organizatës ndërkombëtare Freedom House që u publikuan së fundmi, në fakt vënë në pah një problem që është trashëguar ndër vite. E megjithatë në të dy raportet, mund të vërehet përmirësim e progres në drejtim të luftimit të korrupsionit”, thotë ndër të tjera Kryeziu në një postim në Facebook.

“Për shembull në raportet e DASh-it në vitet e mëparshme, për përshkrimin e korrupsionit në qeveri përdoreshin shprehje si ‘korrupsion endemik’ (këtë e gjeni në raportet për vitet 2016, 2017 e 2018) dhe ‘korrupsion i përhapur’ (në raportin e vitit 2014), që tregojnë një shkallë të lartë të korrupsionit qeveritar. Shprehje si këto nuk i gjeni në raportin e këtij viti dhe atij të kaluar. Madje në raportin e fundit theksohet se qeveria ka ndërmarrë hapa të besueshëm për të hetuar e ndëshkuar zyrtarë që mund të kenë kryer abuzime apo keqpërdorime. Ju rikujtojmë që gjatë qeverisë sonë qindra zyrtarë publikë janë arrestuar për keqpërdorime të ndryshme”, thotë më tej zëdhënësi i qeverisë.

Ngjashëm, sipas tij, është gjendja edhe në raportet e organizatës Freedom House. “Për shembull, në vitin 2018 kjo organizatë përdorte shprehjen ‘i shfrenuar’ kur flet për korrupsionin. Njësoj e përshkruan situatën edhe për vitin 2018, 2017 e 2016. Përsëri shprehje të tilla nuk i gjeni në raportin e kësaj organizate për vitin e kaluar. Madje aty theksohet se përkundër trashëgimisë, ka një brez të ri politikanësh të vullnetshëm për t’u përballur me praktikat e korruptuara nëpërmjet reformave gjyqësore dhe administrative. Pra ka dallim, ka përmirësim”.

E për të luftuar korrupsionin në mënyrë të efektshme, Kryeziu thotë se sistemit të drejtësisë i duhet një vetting, pasi, siç thotë ai, “të njëjtat raporte, pra të DASh-it dhe të Freedom House flasin pikërisht për sistemin jo efikas të drejtësisë dhe të korruptuar si pjesë e problemit”.

“Luftimi i korrupsionit, sidomos në institucione, duhet të jetë synim i përbashkët. Po, qeveria duhet të luaj një rol udhëheqës dhe shembullor, por janë institucionet tjera, ato të hetimit dhe të drejtësisë të cilat e bëjnë përfundimisht të mundur luftën e suksesshme ndaj korrupsionit. Sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit mbeten çështje qendrore të angazhimit tonë. Janë beteja tona të vazhdueshme”, përfundoi Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.