Kosova
Kosovë: Liberalizimi i vizave, në këmbim të kompromiseve në dialog
Sipas znj. Cramon, perspektiva afatgjate e Kosovës duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian. Çështjet e kompromisit, thotë ajo, bëhen më të pranueshme nëse liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës
Përfaqësuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Viola von Cramon, ka deklaruar se nëse liberalizohen vizat për Kosovën, atëherë njerëzit do të pranojnë më lehtë kompromiset që mund të dalin nga marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Ajo tha se ideja e ndryshimit të kufijve është toksike, andaj nuk mund të ketë debat për të.
Këto deklarata, Von Cramon i bëri në një intervistë për KosovaPress, gjatë të cilës po ashtu tha se me padurim po e pret marrëveshjen finale të dialogut.
“Të gjithë po presim me padurim që të kemi një marrëveshje finale, e cila do të sillte pajtimin për njohje reciproke nga dy anët. Prandaj, duhet ta vazhdojmë këtë dialog me qëllim të normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Kjo është më e rëndësishmja. Është e rëndësishme për ju, për qytetarët tuaj në Kosovë, është e rëndësishme për ne në Bashkimin Evropian, sepse pa të nuk mund të ketë rrugë evropiane për Kosovën”, ka thënë ajo, përcjell Albinfo.ch.
Sipas znj. Cramon, perspektiva afatgjate e Kosovës duhet të jetë integrimi në Bashkimin Evropian. Çështjet e kompromisit, thotë ajo, bëhen më të pranueshme nëse liberalizohen vizat për qytetarët e Kosovës.
“Siç e thashë, unë nuk jam palë negociuese dhe nuk kam mandat që t’i tregoj askujt se si mund të duket një kompromis. Mendoj se është shumë e vlefshme që të llogaritet çdo gjë që është e rëndësishme për interesin nacional. Të llogaritet se çka është e nevojshme për Kosovën dhe cila është perspektiva afatgjate dhe unë e shoh se perspektiva afatgjate është patjetër integrimi në Bashkimin Evropian. Por, ju keni të drejtë. Për këtë, liberalizimi i vizave duhet të jetë hapi i parë, para fazës së reformave. Mendoj se Evropa duhet të dëshmojë se i ka kryer detyrat e saj, se ata do ta japin dritën e gjelbër për njerëzit në Kosovë dhe atëherë do të thosha se do të ishte më e lehtë për njerëzit në Kosovë që të pranojnë një kompromis, çfarëdo qoftë ai”, shtoi ajo.
Më tej, Von Cramon foli edhe për idenë e ndryshimit të kufijve, të cilën ajo e quajti toksike, ndaj nuk mund të ketë debat për të.
“Absolutisht e ndaj perspektivën e njerëzve se ndryshimi i kufijve është toksik dhe nuk mund të ketë debat për të. Ai do ta dëmtonte çdokënd në rajon. Ne patëm një debat të ngjashëm për Bosnjën, prandaj duhet të distancohemi dhe ta lëmë pas atë çështje. E kam përmendur se çështja e personave të zhdukur është thelbësore dhe e dimë se ka pasur disa arritje për këtë”, tha ai.
Përfaqësuesja e Parlamentit Evropian paralajmëroi dakordësim për Asociacionin në marrëveshjen finale mes dy vendeve.
Sipas saj, për këtë kurrsesi nuk duhet të ndiqet modeli i Republikës Srpska në Bosnjë.
“Do të ketë diçka për Asociacionin për pakicat serbe, por si do të draftohet dhe si do të duket, cilat do të jenë kompetencat e tij ekzekutive, po mendoj, çfarë lloj fuqie ekzekutive mund të ketë dhe natyrisht që nuk duhet të jetë asgjë si Republika Serbe në Bosnjë. Prandaj, mendoj se shumë forca diplomatike duhet të kalojnë nëpër të gjitha pikat nga Plani i Ahtisaarit dhe atëherë Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë vetëm një çështje. E kuptoj pse kryeministri Kurti nuk është i gatshëm që në këtë pikë të flasë vetëm për këtë çështje dhe e ndaj pozitën e tij se duhet të presim dhe të shohim se çka do të ketë në pako dhe atëherë do të vendosim se si do ta trajtojmë këtë pikë”, vazhdoi ajo.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Dr. Cristiana Lucchetti: Shqipja, gjuha më e rëndësishme e origjinës në Zvicër “Përmes kërkimit tim do të doja të rris ndërgjegjësimin për shqipen si gjuha më e rëndësishme...
-
Mërgimtarët hasin në probleme gjatë regjistrimit të popullsisë, ReKos 2024
-
Njoftim për diasporën: Vetëm edhe 10 ditë për regjistrimin e popullsisë, ReKos 2024
-
Amerikë
Piloti i parë shqiptar i Forcave ajrore amerikane: Me krenari e mbaj uniformën
-
Zvicër
Ardon Jashari, me çmimin “Safp Golden Eleven” si mesfushori më i mirë në Zvicër
Jeta në Austri
-
80 vjedhje, 560 mijë euro dëm: Arrestohen katër shqiptarë në Austri Sipas policisë, në shumicën e vjedhjeve të banesave, viktimat kanë qenë të pranishëm dhe në gjumë...
-
Austri: Ministri i Brendshëm kërkon dëbimin në Kosovë të kriminelëve nga vendet e treta
-
Vjenë
Suedi: Ekipi “kikiriki” nga Vjena fitoi vendin e parë në konkursin “Kuizi i Diturisë”
-
Çfarë është e hapur dhe çfarë është e mbyllur në “Ditën e Ngjitjes” në Austri?
-
Përmbledhje e lajmeve më të fundit për sot në Austri