Kosova

Kosovë: Ekspertët shëndetësorë, pro heqjes së orës policore

Në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë sot pritet të rekomandojë lehtësim të masave anti-COVID. Për lehtësimin e masave profesionistët shëndetësorë ndajnë mendime të ndryshme, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, pajtohet që ora policore të largohet si masë kufizuese, ajo thotë se është e domosdoshme që dëshmia e tri doza të vaksinës për të hyrë në Kosovë duhet të mbetet në fuqi.

Por, mendim ndryshe ka infektologu dhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, i cili thotë se masat e vendosura nga Qeveria nuk kanë më kuptim dhe se, sipas tij, duhet të rriten inspektimet për respektim të masave, siç janë mbajtja e maskës dhe distancës sociale.

Sot pritet të mblidhet Komiteti për menaxhimin e pandemisë për vlerësimin e situatës epidemiologjike dhe analizimin e vendosjes së masave të reja. Masat e reja të përfolura janë ora policore të përgjysmohet ose të largohet, ndërkaq gastronomia të vazhdojë në orar të rregullt deri në ora 23:00.

Po ashtu lehtësime pritet në ndodhin edhe në pikat kufitare ku nuk do të ketë nevojë që qytetarët të dëshmojnë se kanë marrë tri doza të vaksinës, meqë do të jetë e mjaftueshme të kalohet kufiri me dy doza të vaksinës dhe pa test.

Presidentja e Federatës së Mjekëve Shqiptare në Evropë, Aurora Dollenberg, thotë se përqindja e ulët e të vaksinuarve në Kosovës nuk ofron komoditet për të kopjuar vendet e mëdha evropian që kanë lehtësuar masat.

Derisa kërkon kujdes në lehtësimin e masave, Dollenberg shprehet se masat kufizuese duhet të vazhdojnë të jenë në fuqi.

“Kosova duhet të jetë e kujdesshme në lehtësimin e masave kufizuese dhe mbrojtëse sepse duhet të mos kopjojmë shtetet e mëdha si Danimarka ose Anglia që kanë kaluar 85% të të vaksinuarve të tyre. Kosova vazhdon që të mbetet me një përqindje të ulët të të vaksinuarve dhe si rrjedhim duhet të jetë shumë vigjilente dhe akoma t’i mbajë masat kufizuese qoftë në kufi apo edhe te qytetari i thjesht duhet të rritet puna për të vaksinuar jo vetëm me dy doza e para, por madje edhe me dozën numër tre”, tha ajo.

Specialistja e mjekësisë familjare, Aurora Dollenberg, pajtohet që ora policore të largohet, por insiston që në pikat kufitare për të hyrë në Kosovë të vazhdojë të jetë edhe më tej në fuqi masa për të dëshmuar dozën e tretë, por edhe posedimin e dy dozave të vaksinës antiCOVID dhe testin PCR.

“Sa i perket kufizimit të orës policore unë si mjeke do të thosha që parë edhe vendet tjera të Evropës masa e kufizimit në orar policor nuk është aq e domosdoshme dhe aq e rëndësishme sesa respektimi i distancës sociale dhe mbajtjes së maskave gjatë ditës kështu që do të këshilloja që në rend të parë për Kosovën është e rëndësishme mbajtja e maskave e distancës sociale dhe bërja e vaksinave në mënyrë të rregullt, ndërsa ora policore mund edhe të hiqet… Nga ana mjekësore është shumë e rëndësishme kufizimi i importit apo eksportit të virusit sidomos të varianteve të reja të omicron që janë shumë infektuese, andaj në vijat kufitare është shumë e rëndësishme që të mbahet kontrolli dhe të bëhet me detyrim bërja e një doze të tretë apo paraqitja e një testi negativ të PCR-së“, tha Dollenberg.

Për lehtësim të masave që përfshin largimin e orës policore dhe heqjen e masës për dëshminë e tri dozave si dhe rikthimin e punës së gastronomisë deri në orën 23:00 po e mbështet edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj.

Dreshaj edhe si infektolog konsideron se është iluzore që të pritet që me masa sanksionuese të menaxhohet pandemia.

Ai thotë se respektimi i masave standarde të menaxhimit të pandemisë siç janë mbajtja e maskës dhe distancës sociale duhet më shumë të inspektohen.

“Është iluzore të pritet që me sanksione të menaxhohet pandemia. Masat standarde nuk janë duke u respektuar, andaj nuk ka vend që të shtohet me masa radikale derisa ato standarde nuk respektohen. Po të isha pjesë e ekipit profesionistë apo ministër i Shëndetësisë unë do të kisha marrë vendime pak më ndryshe, do të kisha vepruar me inspektorë e polici në terren, me sanksione për ata që nuk respektojnë ligjin dhe masat, ndërsa sa i përket masave shtesë do të ishte varë nga situata epidemiologjike që kemi… Është e pakuptimtë të shkoni në masa radikale kur masa standarde nuk respektohen”, tha Dreshaj.

Deputeti Dreshaj shprehet kundër masave aktuale në fuqi, madje thotë se këto masa nuk kanë pasur efekt në menaxhim të pandemisë.

“Si ekspert i fushës dhe si Aleancë, ne kemi qenë kundër shkurtimit të orarit në gastronomi ngase kjo i ndihmon më shumë krizës energjike vend sesa menaxhimit të sëmundjes. Kemi qenë kundër orës policore për shkak se virusi është 24 orë në vend dhe mendojmë që ora policore nuk është diçka që duhet të implementohet. Si Aleancë kemi qenë kundër dozës së tretë në kufi për shkak se doza e tretë në kufi nënkupton sikur ne të kishim arritur një shifër të lartë të të vaksinuarve me dozën e tretë gjë që nuk i kemi në vend dhe njëkohësisht si Aleancë dhe si ekspert iu kemi bërë me dije me kohë se karakteristika e pandemisë nuk janë karakteristika të rangut të botës kur ICDS nuk do të japin rekomandime për shkak se vendet e ndryshme kanë karakteristika të ndryshme si në aspektin vaksinal apo kapaciteteve të trajtimit”, u shpreh ai.

Më 21 janar për shkak të situatës pandemike Qeveria e Kosovës kishte vendosur që gastronomia të punojë vetëm deri në orën 21:00, pasi që ora policore u zhvendos nga ora 24:00 në 22:00. Për të gjithë qytetarët që hyjnë në Kosovë si masë kufizuese është e vendosur dëshmia e dozës së tretë të vaksinës antiCOVID apo dy doza dhe një test PCR negativ.

Ndërsa, dje në Kosovë kanë rezultuar pozitivë 2.590 qytetarë, ndërsa 6 persona kanë humbur jetën si pasojë e infektimit.