Ambasada e Republikës së Kosovës në Austri ka marrë pjesë në edicionin e 25-të të Garden Party, të organizuar nga Forumi Ekonomik i Vjenës, i cili u mbajt në rezidencën e ambasadores së Bullgarisë në Vjenë, përcjell albinfo.at.
Ngjarja mblodhi përfaqësues diplomatikë, institucionalë, ekonomikë dhe kulturorë nga vendet anëtare të forumit, ndërsa Kosova u prezantua me një përzgjedhje të produkteve ushqimore dhe verërave vendore.

Sipas Ambasadës, tavolina e Kosovës ngjalli interes të madh te pjesëmarrësit, të cilët patën mundësinë të njiheshin më nga afër me kulturën, traditën dhe potencialin ekonomik të vendit.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Austri, të cilët promovuan mundësitë për bashkëpunim ndërmjet komunitetit të biznesit shqiptar dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Mbrëmja u zhvillua në një atmosferë festive, e shoqëruar me program kulturor dhe muzikor, duke shërbyer si një platformë për rrjetëzim, shkëmbim përvojash dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve pjesëmarrëse./Albinfo.at
