Kosova
Kosova dhe Shqipëria mbajnë seancë të përbashkët parlamentare

Kuvendet e Kosovës dhe Shqipërisë kanë mbajtur të premten një seancë të përbashkët parlamentare në Prishtinë, ku liderët e të dyja vendeve theksuan mbështetjen e ndërsjellë për njëra-tjetrën.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i lartësoi lidhjet mes popujve të Shqipërisë dhe Kosovës dhe e kritikoi Bashkimin Evropian për qëndrimet e tij ndaj Prishtinës.
“Jemi i vetmi komb që flet një gjuhë po aq të vjetër sa vetë gjeneza e Perëndimit. Dëshira ime është që të mos jemi njëri në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në Bashkim Evropian, ndërsa tjetri nën sanksione të BE-së, të cilat, meqë ra fjala, sot janë një absurditet absolut”, tha Rama.
Derisa Shqipëria i hapi kapitujt e parë në negociatat për anëtarësim në BE në tetor, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk e ka ende statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllok.
Rama tha se ai dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kërkuan heqjen e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës gjatë një samiti BE-Ballkani Perëndimor të mërkurën në Bruksel.
Blloku evropian vendosi masa ndëshkuese ndaj Kosovës më 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja pati vlerësuar se Qeveria e Kosovës nuk ka bërë mjaftueshëm për shtensionim.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se lidhjet e thella mes Kosovës dhe Shqipërisë janë të “rrënjosura në histori, në sakrifica dhe në një vizion të përbashkët për të ardhmen”.
Ajo bëri thirrje që dy vendet t’i shfrytëzojnë lidhjet e tyre historike për ta forcuar bashkëpunimin dhe bashkërendimin.
Për t’i tejkaluar sfidat dhe pengesat, Kosovës i nevojitet ndihma e Shqipërisë, theksoi ajo.
“Kjo seancë e përbashkët parlamentare duhet të shërbejë si një thirrje për veprim. Një kujtesë se qëllimi ynë i përbashkët kërkon ambicie edhe më të madhe dhe përpjekje më të palodhshme Ne po jetojmë në një kohë të trazuar, e cila tregon bashkëpunim dhe qëllim. Për Kosovën dhe Shqipërinë kjo nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri”, theksoi Osmani.
Ndërkohë, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha në hapje të seancës se Kosova dhe Shqipëria janë me njëra tjetrën “në çdo rrethanë dhe pa asnjë kusht, duke qenë se ne nuk mund të përfaqësojmë tjetër gjë përveç se interesin kombëtar të kombit që për ne është i përbashkët”.
Ai e falënderoi Qeverinë e Shqipërisë për mbrojtjen e interesave të Kosovës dhe mbrojtjen e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“E drejta e Kosovës për mbrojtjen e sovranitetit dhe integriteti, forcimit ligjit, nuk mund të konsiderohen cenim i fqinjësisë së mirë dhe as përshkallëzim i raporteve me fqinjët. Është Serbia që nuk na e pranon as statusin e fqinjit por ambiciet e aj hegjemoniste vazhdon t’i ketë të kodifikuara në Kushtetutë”, tha Konjufca.
Kjo është mbledhja e parë mes këtyre dy kuvendeve në Prishtinë. Seanca e fundit e përbashkët mes tyre u mbajt dy vjet më parë në Tiranë, me rastrin e shënimit të 110-vjetorit të Pavarësisë.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, tha se Tirana dhe Prishtina ndajnë synimet dhe vizionet e njëjta drejt integrimeve evropiane.
“Realizimi i objektivit tonë anëtarësimi në BE, integrimi euroatlantik i Kosovës dhe njohja përfundimtare e saj si realitet i pakthyeshëm, rritja e rolit të faktorit shqiptar, stabiliteti për paqe dhe siguri, janë detyrat tona, themeli i të ardhmes sonë”, tha Spirapoli.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nikson Gjoka: “Me ‘Fly’ po fluturoj drejt ëndrrës time!” Pas publikimit të këngës së tij të parë “Fly”, model dhe tani edhe artist, Nikson Gjoka...
-
Maqedoni: Gjykata vendos se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe mërgatën do të trajtohen si “rezidentë”
-
Artistja nga Kosova fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” në Madrid
-
Shqiptarja nga Prishtina finaliste në çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”
-
Kosovari godet me makinë motoçiklistin e rrëzuar dhe thotë: Mendova se ishte kaproll!
Jeta në Austri
-
Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra Qyteti i Bregenzit në Austri po përgatitet të zyrtarizojë një zonë për larje nudo në bregun...
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht
-
Trenat e rinj me dy kate nisin operimin në Austri
-
Raporti: 400 super të pasur zotërojnë 37% të pasurisë financiare të Austrisë
-
Pse po rriten çmimet e transportit në Vjenë dhe për sa?