Kosova

Konstituimi i Kuvendit përfundon në Kushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës së konstituimit të Kuvendit dhe ka paralajmëruar se nesër do ta dërgojnë edhe një kërkesë tjetër për vlerësim të kushtetutshmërisë së zgjedhjes së Qeverisë.

“Sapo e dërguam në Gjykatë Kushtetuese vlerësimin e kushtetutshmërisë së për konstatimin e tyre rreth konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së kryetarit, mënyrës së zgjedhjes së nënkryetarëve, ndryshimit të procedurës së votimit të nënkryetarëve”, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri.

Ai ka thënë se besojnë që para vendimit Gjykata Kushtetuese të vendos masë të përkohshme, transmeton albinfo.ch.

“Është imediate që fillimisht të vendoset masa në mënyrë që të mos prodhohen dëme e situata më të rënda në kuptimin juridik e institucional sepse edhe Qeveria që është zgjedhur dje nga Kuvendi i cili nuk është realisht i konstituuar dhe nuk ka ligjshmëri, mund të vazhdojë të marrë vendime të jashtëligjshme”, ka theksuar Tahiri.

Ai ka thënë se edhe për secilin vendim që do të merret ata do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.