CH-Ballkani

Kim Mehmeti promovon Këshillin Opozitar në Zvicër

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti, në një tribunë të organizuar me mërgimtarët shqiptarë në Cyrih ka promovuar Këshillin Opozitar, me të cilin synon për të bashkuar opozitën shqiptare në Maqedoni.

Deri tani këtij Këshilli iu kanë bashkuar vetëm Lëvizja politike “Besa” dhe PPD, si dhe disa organizata të shoqërisë civile, ndërsa Kim Mehmeti, i cili ka mohuar të ketë pretendime për poste politike, thotë mos janë marrë vesh me partitë e tjera opozitare shqiptare për shkak të listave, raporton albinfo.ch.

Ai i ka ftuar bashkatdhetarët në Cyrih që t‘i bashkohen projektit të tyre për luftuar të keqen në vendin e tyre nga kanë migruar.

„Këshilli Opozitar ka për qëllim që të na mundësojë që ne të mendojmë ndryshe shqip, që t’i bashkojmë shqiptarët jo vetëm kur janë keq. Unë duhet t‘i takoj popullit që di të bashkohet edhe nga e mira. Por, ne kurrë nuk jemi bashkuar që ta shikojmë njëri-tjetrin në sy“, thotë Mehmeti në Cyrih.

Bashkatdhetarët në Cyrih kanë pyetur mysafirët nga Shkupi se a kanë ndonjë platformë të tyre politike.

„Ne duhet t’u përgjigjemi shqiptarëve se çfarë Maqedonie duam. Ne platformë e kemi Këshillin dhe jemi këtu për të përpiluar një platformë, duke parë edhe disponimin tuaj. Por, çfarë jemi të gatshëm të bartë një platformë e tillë“, thekson Mehmeti, raporton Albinfo.ch.

Mehmeti ka thënë se Maqedonisë i duhen më shumë parti të vogla se një parti e madhe që nuk e përfill popullin.
Me Këshillin Opozitar ai ka premtuar se do t’i ringjallim standardet që i kanë shpëtuar shqiptarët në kohën kur nuk kishte as parti politike, e as institucione.

„Mua më kanë pyetur se cila është zgjidhja në Maqedoni, unë kam thënë më mirë të ketë qeveri të dobët prej më shumë partive të vogla. Kur kemi vetëm dy  parti të mëdha, nuk përfillet populli dhe nuk kemi qeveri demokratike, se Maqedonia nuk është Zvicër. Ne sot në Maqedoni kemi shtet partiak, që tekstualisht është pronë e VMRO-DPMNE-së, dhe pjesa tjetër që e kontrollojnë vasalët shqiptarë“, deklaron Mehmeti, duke premtuar mundësinë që populli të ketë partinë, e jo partia popullin.

„Shqiptaria nuk ka qenë më e përçarë dhe se po jetojmë me një kohë kur politika është biznesi më fitimprurës, në një kohë kur ndërtojmë përmendore jo për të kaluarën e lavdishme, por për të mbuluar turpin, dhe dikush ende paguan haraç të shqiptarisë, e në mesin e tyre jeni edhe ju. Ne e bastarduam ndihmën tuaj dhe edhe ju jeni fajtorë që nuk keni kërkuar përgjegjësi për ndihmën që keni dhënë“, tha Mehmeti, duke paraqitur gjendjen e mjerueshme në Maqedoni.

Sipas tij, për çdo ditë po ikin të rinjtë dhe se janë bërë vendi ku ka më shumë njerëz që vdesin se sa që lindin.

„Është shkatërrimtare për një popull që zbraz atë më të vlefshmen që e ka, rininë“, thotë Mehmeti, duke propozuar që kjo rini që na ka mbetur jashtë të ruajë lidhjet me rininë në vend nëpërmjet projekteve të përbashkëta.
„Vetëm nëpërmjet projekteve të përbashkëta shqiptare që do të bashkojë trurin dhe që do të kërkojnë përgjegjësi nga njëri-tjetri“, thekson Mehmeti.

Në këtë debat në Cyrih ka folur edhe Rufat Alili.

Alili pasi ka konstatuar gjendjen jo të mirë të shqiptarëve në Maqedoni, ka propozuar që subjektet politike shqiptare në Maqedoni të lidhin një besëlidhje mes vete për interesat shqiptare.

„Dy partitë politike shqiptarë në Maqedoni ishin në garë politike mes veti dhe të nënshtruara nga pushteti maqedonas. Deri tani nuk kemi pasur një kontratë dhe marrëveshje politike që do t’i mbronte interesat politike të shqiptarëve para partnerit maqedonas“, tha Murtezani, që sipas tij, në këtë mënyrë ruhet dinjiteti i shqiptarëve dhe ndërtohet besimin ndërmjet tyre, ndërsa beneficioni i gjithë asaj është që komuniteti të jetë i bashkuar.

Këtë e thotë Alili, ndërsa nga ana tjetër, duket të mbeten të ndarë në betejën e tyre politike dy blloqet opozitare shqiptare në Maqedoni.

Aleanca për Shqiptarët dhe Këshillit Opozitar këto ditë në vende të ndryshme evropiane kanë realizuar takime të ndara me mërgatën shqiptare.

Në Vjenë të Austrisë ishte prezantuar këtë fundjavë dhe Aleanca për Shqiptarët, e udhëhequr nga liderët e dy subjekteve politike, Ziadin Sela, i LR-PDSH-së dhe Vesel Memedi i RDK-së.