Kosova
Këshilli i Sigurisë: Serbia po tenton të sabotojë krijimin e institucioneve të reja të Kosovës
Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka akuzuar Serbinë se po tenton që të “sabotojë themelimin e institucioneve të reja” dhe legjislaturës së nëntë të Kosovës të dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Qeveria e Kosovës njoftoi se Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti mbledhje më 6 prill me kërkesë të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të diskutuar për gjendjen e sigurisë, por edhe për, siç u tha, planet destabilizuese të Serbisë.
Në njoftim u përsëritën akuzat e mëhershme të bëra nga Qeveria e Kosovës se Serbia ka ndërhyrë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit përmes Listës Serbe – akuza që janë bërë edhe nga Gjermania dhe misioni i Bashkimit Evropian për monitorimin e zgjedhjeve.
“Serbia tash po ndërhyn te disa prej deputetëve të komuniteteve joshumicë e joserbë, që ta sabotojë themelimin e institucioneve të reja të legjislaturës së nëntë. Me kërcënime e joshje, dhe sidomos me shantazhe, ajo po orvatet të nxisë tensione ndëretnike e ndërpartiake në Kosovë dhe ta destabilizojë Kosovën”, u tha në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kurtit, pa përmendur se për cilët deputetë bëhet fjalë dhe nga cilat komunitete janë.
Këshilli i Sigurisë tha se kjo paraqet ndërhyrje ndaj “sovranitetit shtetëror, funksionimit demokratik dhe integritetit institucional të vendit tonë”.
Kurti, partia e të cilit, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, më herët gjatë javës ka zhvilluar takime me partitë e komuniteteve joshumicë në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për konstituimin e Kuvendit dhe formimit të Qeverisë.
Më 2 prill, Kurti u takua me kryetaren e Partisë së Re Demokratike nga komuniteti boshnjak, Emilija Rexhepi dhe me udhëheqësin e Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Që të dy shprehën gatishmëri për vazhdimin e bashkëpunimit me LVV-në e Kurtit.
Një ditë më vonë, Kurti vazhdoi takimet me përfaqësuesit e partive të tjera joserbe. Ai u takua me kryetaren e Unionit Socialdemokrat nga radhët e komunitetit boshnjak, Duda Balje, me kryetarin e Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës, Fikrim Damka, si dhe kryetarin e Partisë së Romëve të Bashkuar të Kosovës, Albert Kinolli.
Po atë ditë, Kurti zhvilloi takim edhe me deputetin e zgjedhur të komunitetit goran, Kryetarin e Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, si dhe deputetin e zgjedhur nga radhët e komunitetit boshnjak, Rasim Demiri nga Koalicioni Vakat.
Hoxha ka qenë në të kaluarën pjesë e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë, e cila në zgjedhjet e 9 shkurtit fitoi nëntë ulëse në Kuvendin e Kosovës.
Pas takimeve, Balje, Berisha dhe Kinolli thanë se i kanë paraqitur kërkesat e tyre Kurtit për një bashkëpunim të mundshëm me LVV-në. Damka shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit, ndërkaq Hoxha nuk dihet se çfarë qëndrimi ka sa i përket një bashkëpunimi të mundshëm me partinë e Kurtit.
LVV-ja – që ka 48 mandate në Kuvend, të pamjaftueshme që ta formojë e vetme ekzekutivin – ka thënë se dëshiron ta krijojë një qeveri me partitë e komuniteteve pakicë joserbe.
Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse në Kuvend, dhjetë janë të rezervuara për partitë joserbe dhe dhjetë për komunitetin serb.
Përveç çështjes së formimit të institucioneve, sipas njoftimit, Këshilli i Sigurisë ka diskutuar edhe për sulmin me granata dore ndaj Zyrës së Postës së Kosovës në Zveçan më 1 prill, por edhe për arrestimin të shtunën mbrëma “të katër ‘pelegrinëve’ serbë në Gjakovë”.
Sipas Këshillit, njëri nga ta ishte toger i policisë së Serbisë e tjetri kapiten i ushtrisë së Serbisë.
Policia, ndërkaq, në raportin 24-orësh ka thënë se në Gjakovë ka arrestuar më 5 prill katër të dyshuar, pasi gjatë kontrollit në bagazhin e veturës së tyre me targa të Serbisë, janë gjetur dhe sekuestruar dy thika dhe një sëpatë./REL
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
SHBA
Labearta Hasanramaj specializon në SHBA dhe bën shqiponjën me duar Shqiptarja përfundon specializimin në Menaxhment dhe Administratë Publike në SHBA... -
Skoci
Shqiptari dënohet me 18 muaj burg për fermë kanabisi në Skoci -
Irlandë
Hyn në Irlandë pa dokumente, 18-vjeçari shqiptar përfundon në burg -
Itali
11-vjeçarja shqiptare Serena Marku shkëlqen në “The Voice Kids of Italy” -
Kush preket nga pezullimi i vizave të emigrimit për në SHBA?
Jeta në Austri
-
Sidrit Vokshi dëshiron të përfaqësojë Austrinë në Eurovision Sidrit Vokshi është një nga artistët që konkurrojnë për Eurovision, më 20 shkurt në shfaqjen para-seleksionuese... -
Festat zyrtare austriake dhe pushimet shkollore për vitin 2026 -
Ekspertët kosovarë që shkëlqejnë në Evropë: Dr. MDSc Genc Zenunaj pjesë e rastit të parë “Guided Quad Zygoma” LUMC, Holandë -
Vjenë: Procesi i votimit në ambasadë po vazhdon në mënyrë të rregullt -
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri











