Lajme

Johnson pesimist: Nuk ka mundësi për anëtarësim të Ukrainës në NATO

Kryeministri britanik, Boris Johnson, deklaroi se nuk ka asnjë mundësi që Ukraina të bashkohet me NATO-n së shpejti, pasi udhëheqësi i Ukrainës tha se bisedimet e paqes me Rusinë kishin marrë një “kthesë realiste”.

Kryeministri britanik, i cili po viziton vendet e Gjirit, ndërsa po përpiqet të largojë Perëndimin nga energjia ruse, tha se e kuptonte “realitetin e pozicionit” të shprehur nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, transmeton Dpa, përcjell Albinfo.ch.

Në një video-telefonatë me Johnsonin dhe përfaqësuesit nga vendet baltike dhe të Evropës Veriore, të mbledhur dje, Zelensky shprehu zhgënjimin e tij që Ukraina nuk ishte lejuar të bashkohej me NATO-n, por theksoi se “kjo është e vërteta dhe ne thjesht duhet ta pranojmë ashtu siç është”.
“Kam biseduar dje përsëri me Zelensky dhe sigurisht e kuptoj atë që ai po thotë për NATO-n dhe realitetin e pozicionimit. Të gjithë ne kemi thënë gjithmonë – dhe ia kemi bërë të qartë edhe Putinit – se nuk ka asnjë mënyrë që Ukraina të bashkohet me NATO-n së shpejti”, deklaroi Johnson.

”Vendimet për të ardhmen e vendit duhej të bëheshin nga populli ukrainas dhe udhëheqësi i tyre i zgjedhur, ndërkohë që ne do të vazhdojmë të mbështesim Zelenskyn”, shtoi ai.

”Dhe gjëja më e rëndësishme është që agresioni i Putinit, sulmet e tij absolutisht barbare ndaj Ukrainës duhet të ndalen”, theksoi kryeministri.
Zelensky, që nga fjalimi në samitin e Londrës, ka sugjeruar se bisedimet e paqes midis delegacioneve ukrainase dhe ruse kishin filluar të prodhonin shpresë për një armëpushim.