Feja

Imami i këshillon prindërit t`i rrahin fëmijët që nuk duan të luten

Imami i xhamisë El-Hidaje të St. Gallenit, Fehim Dragusha, shqiptar nga Kosova, propagon edhe rrahjen e fëmijeve në portalin e internetit

Imami i xhamisë El-Hidaje të lokalitetit Winkel të St. Gallenit, Fehim Dragusha, shqiptar nga Kosova si “mjet për edukimin e fëmijëve” propagon edhe rrahjen e tyre. Këtë ai e bën në portalin e internetit, të xhamisë të cilën e udhëheq, shkruan gazeta “Solothurner Zeitung”.

“Studiuesit e islamit, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve madje edhe vetë myslimanët janë të alarmuar: thëniet e shkruara në faqen e internetit të xhamisë dërgojnë një sinjal të gabuar”, shkruan gazeta.

Imami 29 vjeçar Dragusha, në portalin e përmendur ka shkruar veç tjerash: Ju duhet t`ua mësoni fëmijëve tuaj lutjet, kur ata të kenë mbushur 7 vjet. Me 10 vjet, ju duhet që ata edhe t`i rrihni” (nëse kundërshtojnë). Këto thënie të marra nga profeti Muhamed, Dragusha i ka vënë në vend të dukshëm dhe me shkronja të theksuara.

“Secili që e zbaton këtë metodologji në edukimin e fëmijëve, nuk do të ketë vështirësi dhe lodhje në lidhje me mësimin e fesë”, u ka sugjeruar më tutje Dragusha prindërve.

Në po këtë faqe imami kosovar shpalos edhe ofertën pedagogjike të xhamisë. Në kuadër të saj ka një kopsht islam fëmijësh për moshat 5-7 vjeçare, ku ata mund të shkojnë të dielave nga ora 10.30 deri në orën 12:45. Përveç mësimeve për islamin, fëmijët gjatë këtyre orëve mund edhe të pikturojnë.

“Arsyeja për themelimin e kësaj klase ka qenë që fëmijëve t`ua mësojmë islamin që nga fëmijëria”, shkruan Fehim Dragusha dhe citon sërish profetin Muhamed me këshillën e tij të kontestuar për edukimin e fëmijëve.

Më tutje gazeta ka marrë mendimet e një studiuesi të islamit dhe të kryetares së “Forumit për Islam Progresiv” Saida Keller-Messahli. Kjo e fundit thotë se “përgjegjësit, po shenjtërojnë kështu një metodë të shekullit të shtatë, pavarësisht nga zhvillimet e kohës sonë, pavarësisht nga të drejtat e njeriut. Kjo është shumë problematike”.

Ndërsa organizata për mbrojtjen e fëmijëve “Kinderschutz”, përmes përgjegjësit të saj për komuinikim, Marcel Wisler, shprehet qartë: “Rrahja nuk guxon të jetë mjet edukimi. Ne bëjmë përpjekje që në shoqërinë tonë të mos tolerohet më dhuna kundër fëmijëve”.

Studiuesi i islamit, Andreas Tunger-Zanetti nga Universiteti i Lucernit po ashtu nuk tregon mirëkuptim për deklaratat e imamit. Sipas tij “ky citat është plotësisht i deplasuar dhe, sigurisht nga zbrazësia e mendimit, transmeton një sinjal të gabueshëm”. Zanneti më tutje ka thënë se “ka mijëra thënie, që thuhet se rrjedhin nga Profeti Muhamed, të ashtuquajtura hadithe. Në mesin e tyre ka edhe të tilla që na e mësojnë një pedagogjikë tjetër nga kjo. Por, imami i xhamisë së St. Gallenit nuk i ka publikuar ato”.

Studiuesi nga Lucerni shton se “thënia e cituar nuk thotë asgjë rreth asaj nëse prindërit i rrahin me të vërtetë fëmijët e tyre nga mosha dhjetë vjeçare. Por ky citat del edhe nga qëndrimi konservativ që haset në shumicën e rasteve në xhamitë e Zvicrës”.

Si dëshmi për pretendimin e gazetës mbi konservativizmin e imamit të xhamisë së St. Gallenit, paraqitet edhe fakti që ai ka diplimuar në Universitetin islam të Sulltanatit të Bruneit, që konsiderohet ndër më konservatorët.

Artikulli merret edhe me demonizimin që Fehim Dragusha u bën prindërve që lejojnë fëmijët e tyre të ndjekin mësime të vallëzimit gjatë kohës së lirë. “Ne vetë jemi dëshmitarë të asaj se shumë prindër u lejojnë fëmijëve të tyre të mësojnë gjëra të dorës së dytë si vallëzimi dhe gjëra të tjera përmes të cilave e çojnë kohën kot, në vend se t`i orientojnë ata ta mësojnë Kuranin. Fëmijët tanë do të mbeten të padenjë nëse ne nuk punojmë intensivisht me ta”.

Gazeta më tutje ia ka dhënë fjalën edhe deputetit nga SVP e kantonit të St. Gallenit Lukas Reimann. Ai është shprehur “i tmeruar” me faktin se një xhami në St.Gallen përhap një ideologji të tillë. “Thirrja për dhunë ndaj fëmijëve është e dënueshme. Autoritetet duhet ta marrin urgjentisht nën mbikëqyrje xhaminë dhe të marrin masa”, ka thënë Reimann.