Feja

Imamët shqiptarë të Zvicrës kërkojnë ndalimin e IS-it

Imami shqiptar nga Wil-i, Bekim Alimi, ne emrin e Imamëve Shqiptarë të Zvicrës është shprehur në favor të ndalimit të aktivitetit të organizatës terroriste në fjalë edhe në Zvicër

Gjermania ka shpallur ditë më parë si shkelje ligji çdo prezantim publik që ka të bëjë me “IS”-in organizatën terroriste që promovon “Shtetin Islamik”. Ngjashëm kanë filluar të sillen edhe shtetet tjera perëndimore si Franca, Austria etj. Në këtë atmosferë, edhe në Zvicër është aktualizuar diteve të fundit nevoja për një reagim të tillë, gjegjësisht ndalimin e IS-it.

Magazina televizive “10vor10” e televizionit publik zviceran ka emetuar të hënën një kontribut lidhur me këtë çështje ku ka ndërlidhur politikanët, policinë, sociologët dhe klerikët, gjegjësisht imamët.

Imami shqiptar nga Wil-i, Bekim Alimi, i konsultuar nga ky emision është shprehur në favor të ndalimit të aktivitetit të organizatës terroriste në fjalë edhe në Zvicër. Ai ka folur për shumicën e myslimanëve të Zvicrës dhe në emrin e dy organizatave më të mëdha islamike si dhe në emrin e imamëve shqiptarë të Zvicrës. Në këtë cilësi, Alimi është shprehur: “Ne, myslimanët tmerrohemi nga aktet e tyre dhe prandaj e konsiderojmë atë (IS-in) si zero dhe jo islamike”.  

Ai po ashtu ka thënë në mënyrë eksplicite: “Unë pledoj në mënrë të kuptueshme dhe të qartë që këto veprime mizore dhe ata që këto veprime i përfaqësojnë këtu, duhet të jenë të ndaluara në Zvicër”.

Kryetari i konferencës së drejtorëve kantonalë  të policisë së Zvicrës, Hans-Jürg Kässer  e sheh pozitive idenë për ndalimin në fjalë. Për të ka shumë rëndësi që debati për këtë të bëhet pjesë e debatit në agjendën politike.  “Një ndalim i organizatave të tilla u jep autoriteteve të ndjekjes penale dukshëm më tepër mundësi se sa për shembull ndalimi vetëm i sigurimit të financave”.

Zvicra ka modelin e veprimit në raste të tilla. Rreth dy muaj pas tragjedisë së 11 shtatorit 2001, Qeveria Federale kishte ndaluar me një ligj emergjent organizatën e shpallur terroriste, Al Kaida. Më vonë ajo kishte ndaluar me ligj edhe financimin e terrorizmit.

Edhe për ekspertin e xhihadizmit, deri vonë i punësuar në Qendrën e studimeve  të politikave të sigurisë në Universitetin e Cyrihut ETH, Lorenzo Vidino, ndalimi është hapi i duhur dhe që duhet të bëhet sa më shpejtë. “Është pjekur koha për një ndalim të IS-it”, shprehet Vidino.

Ndërkaq, politika është e përçarë sa i përket gjithë kësaj. Përderisa deputetja nacionale nga FDP/PLR Corina Eichenberger është pa hezitim pro ndalimit . “Situata e kërcënimit në Zvicër është shumë e ngjashme me atë në Gjermani. Për këtë arsye unë do ta mbështetja ndalimin”.  Ndërkaq deputetja nacionale e SP/PS Evi Allemann e shikon në mënyrë kritike ndalimin eventual të IS-it.

“Duhet të kemi kujdes që të mos ndjekim thjesht  një politikë simbolesh por që luftëtarëve të IS-it t`ua marrim në mënyrë efektive armën nga duart”, ka thënë ajo. “Ne edhe sot kemi ndalesën e pjesëmarrjes në organizatat terroriste. Po ashtu është i dënueshëm me ligj edhe propagandimi për rekrutimin e pjesëtarëve të këtyre organizatave”.

Magazina televizive “10vor10” i jep po ashtu hapësirë edhe apelit që dje ka bërë Qendra Islamike Shqiptare e Lozanës kundër shkuarjes së të rinjve shqiptarë për të luftuar në radhët e terroristüüeve të “Shtetit Islamik” në Siri dhe Irak.

Linku i emisionit: Link