Kosova

Hykmete Bajrami: LDK-ja duhet ta marrë postin e presidentit

Bajrami: Presidenti duhet t’i takojë LDK-së për të balancuar pushtetet

Bajrami tha se, sipas informacioneve që ka parë në media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po i ofron LDK-së pjesëmarrje në qeverinë e re, por vlerësoi se posti i presidentit do të ishte një zgjidhje më e qëndrueshme dhe do të garantonte balancimin e pushteteve në vend, transmeton albinfo.ch.

“Unë nuk i di detajet e takimit, por nga ajo që kam parë në media, kryetari i LDK-së me të drejtë, m’u duk, që insiston në pozitën e presidentit. Mendoj se pozita e presidentit do të siguronte një balancim të pushteteve në Kosovë dhe do të ishte një siguresë si për Kosovën, ashtu edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës”, u shpreh Bajrami.

Ajo theksoi se ofertat aktuale për disa poste ministrore nuk përbëjnë garanci afatgjate, pasi mund të ndryshojnë brenda një periudhe të shkurtër.

“Ka marrëveshje si ajo që po e ofron tani zoti Kurti, me disa pozita në qeveri, të cilat në fakt mund t’i marrë edhe pas disa javësh. Ka edhe marrëveshje të tjera ku LDK-ja potencialisht mund ta marrë pozitën e presidentit, dhe këtë e konsideroj një balancë të pushteteve për Kosovën. Atëherë, natyrisht, do ta konsiderojmë me shumë seriozitet”, deklaroi ajo.

Deputetja e zgjedhur e LDK-së u shpreh gjithashtu kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke theksuar se vendi ka nevojë për një marrëveshje politike.

“Ajo që mund të them është se jam kategorikisht kundër shkuarjes përsëri në zgjedhje dhe jam për një marrëveshje të mirë, një marrëveshje që është e mirë për Kosovën, por edhe për LDK-në”, tha Bajrami. /Albinfo.ch