Kosova

Hoxha: Kosova e gatshme të përfitojë nga përvojat e vendeve të BE-së

Ministrja Hoxha ka thënë se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në konferencën Rajonale vjetore që është mbajtur në Shkup, me temën bosht: Ndërtimi i kapaciteteve dhe bashkëpunimi rajonal në procesin e integrimit evropian në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Kosovës.

Hoxha ka theksuar se vazhdimi i konsolidimit demokratik, përmirësimi i sundimit të ligjit dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe krijimi i një ekonomie tregu funksionale, janë detyrat parësore të institucioneve të Kosovës.

“Kosova është ende në fazat e hershme të zbatimit të MSA-së dhe ne do të mirëpresim çdo ndihmë nga vendet fqinje në shkëmbimin e përvojave, si mënyra më efikase të përfitosh nga përvoja e vendeve të tjera në këtë proces kompleks”, ka thënë ajo.