Futbolli Shqiptar në Zvicër

Historia e FC Dardanisë së Bazelit mban vulën e Xhakajve dhe Shaqirëve

Dikur, futbollist dhe nënkryetar i klubit ishte Ragip Xhaka, babai i yjeve, Taulantit dhe Granitit. Sot Erdini, vëllai i Xherdan Shaqirit luan për ekipin e parë ndërsa Arianiti është trajner i B Juniorëve

Dardania e Bazelit është klubi i vetëm shqiptar që është i familjarizuar me emra të mëdhenj të futbollit shqiptaro-zviceran. Në historinë 24 vjeçare të  klubit, “Dardania” ka pasur në mesin e vet shumë lojtarë cilësorë që kanë bërë dallimin në fushë. Në fillimet e para të klubit emri që bie në sy, si futbollist dhe nënkryetar i klubit, është Ragip Xhaka- babai i dy yjeve të sotëm të futbollit, Taulant dhe Granit Xhakës.

Dhe kjo nuk mbaron me kaq në Baselin e shumë talenteve shqiptarë.

Sot që “Dardania” garon në ligën e dytë ndërregjionale dhe ka 150 lojtarë aktivë në shtatë ekipe, në mesin e shumë lojtarëve të talentuar, vërehet tekniku Erdin Shaqiri, vëllai dhe menaxheri i Xherdan Shaqirit. Erdini luan në ekipin e parë të Dardanisë, kurse vëllai i vogël i Shaqirëve, Arianiti është trajner i B-juniorëve dhe udhëheq me sukses shkollën e futbollit Priosoccer.

Dardania gëzon një mbështetje të gjerë të diasporës shqiptare të Bazelit. Në mesin e shumë tifozëve që nuk i janë ndarë asnjëherë Dardanisë, shquhen dy futbollistët Zyber Pula e Ismaj Agushi, të cilët i kanë qëndruar klubit gjithnjë pranë me një angazhim të pashoq.

Ajo çfarë e dallon FC Dardaninë prej shumë klubeve tjera shqiptare në Zvicër, është dëshira e anëtarëve të saj për t’i zhvilluar përgatitjet pranverore në vendin e prindërve të tyre.

Nuk ka ndonjë ekip tjetër shqiptar që ka shkuar për stërvitje në Kosovë e Shqipëri më shpesh se FC Dardania. Sivjet ata kanë qëndruar për stërvitje përgatitore në hotelin ku mblidhet Kombëtarja shqiptare, në „Tropikal Resort“. Ky hotel ofron kushte të ngjashme për stërvitje futbollistike me ato që i kanë në Zvicër.

Trajneri i FC Dardanisë, Enver Hajdari është këmbëngulës që kampet stërvitore të zhvillohen në Kosovë e Shqipëri dhe jo në një vend tjetër. „Në këtë mënyrë ne vizitojmë vendin tonë, stërvitemi në vendin tonë dhe sjellim një turizëm të ri në vendin tonë, që për nga klima dhe mikpritja ua kalon vendeve të tjera ku ne më parë i kemi kaluar pushimet“, shprehet ai.

Për të sjellë një pasqyrë më të qartë të veprimtarisë së dardanëve, trajneri dhe drejtuesi i klubit, Enver Hajdari, ka përgatitur një historik të klubit që nga ditët e para të aktivizimit.

Verë 1990… Emigrantët shqiptarë nga Bazeli me rrethinë themeluan klubin e sotëm “FC Dardania”. Për dy vjet radhazi, ata u kujdesen që ta mbajnë ekipin në formë duke marrë pjesë në turne të ndryshme.

Në vitin 1992 ekipi luan për herë të parë në kampionat si nënseksion i klubit CD Español Basel dhe qysh në vitin e parë, ngjitet menjëherë në ligën e katërt. Por dëshira për të luajtur nën emrin “FC Dardania” e shtyri ekipin të startojë prapë në ligën e pestë si klub më vete. Regjistrimi ka ndodhur më 01.07.1993.

Deri 1500 shikues… Qysh në fillim u bë e qartë se këtu ka lindur një ekip atraktiv, i mbështetur fuqishëm nga një numër i madh i tifozëve. Pas dy vjetësh, ekipi u ngrit në ligën e tretë.

Klubi në rritje… Përmbi 40 lojtarë kërkojnë të luajnë me Dardaninë, hapi tjetër i logjikshëm; ekipi i dytë paraqitet për të startuar në kampionat.

Frymë e re pas 11 vjetëve…Kryesia e re me në krye Nehat Sabedinin, solli lojtarin dhe trajnerin me përvojë nga liga e parë, Enver Hajdarin, dhe u orientua plotësisht kah të rinjtë. Ekipet e para të juniorëve tashme ishin gati, të gjithë ishin të gatshëm. Mrekulli!

 

Sezoni më i fortë…Tre vjet më vonë kishte ardhur momenti: ekipi i parë mbyll sezonin me 14 pika më tepër se vendi i dytë. Regjistron 20 fitore nga 22 lojë të zhvilluara, duke shënuar plot 115 gola. Dy lojë tjera kualifikuese e prisnin.

Ngjitja në ligën më të lartë regjionale… Loja e parë kundër “FC Laufen” u mbyll me rezultat të barabartë 2:2, dhe nevojitej një fitore në lojën e fundit si mysafir tek “FC Geltenkinden”. “FC Dardania” fiton 1:0, golashënues trajneri dhe me këtë u bë e qartë: Dardanisë i duhej bërë vendi në ligën më te lartë regjionale.

Pas një viti, Dardania ra aty ku ishte…Trajneri që e kishte ngritur ekipin, e lë për mungesë licence. Ekipi nuk u forcua -hapi tjetër dëshpërues; një ligë më poshtë. Mëkat!

Ristrukturimi…Në vitin 2010 ndodhi thyerja, kryesia kthen prapë trajnerin e suksesshëm, një që di si të ngrihet. Pas një pauze të shkurtër konsolidimi, fillon këndellja. Brenda katër vjetësh, Hajdari ngjitet tri herë me Dardaninë dhe arrin si ekipi i ligës së tretë deri në finalen për kupën e Bazelit. Dardania kishte marshuar nga liga e tretë deri në ligën e dytë ndërregjionale.

Klubi rritet e rritet… Aktualisht Dardania ka 7 ekipe me mbi 150 anëtarë aktivë. Gati gjysma e tyre janë juniorë në 3 kategori të ndryshme; B-Juniorët, C-juniorët dhe D-Juniorët. Ekipi i parë i Dardanisë luan në ligën e dytë, ekipi i dytë në ligën e tretë dhe seniorët në klasin e kampionëve.

…dhe duam të rritemi më shumë: ne do të punojmë edhe më tutje fort, para së gjithash me të rinjtë. Njerëzve të rinj u duhet krijuar mundësinë për integrim dhe zhvillim të mëtejmë në të gjitha fushat, ndoshta deri në një ditë kur Shaqirët e vegjël, që është tani sponsori ynë, të dalin në horizont.

Turniret e Dardanisë flasin gjuhën e integrimit… „Sporti flet të njëjtën gjuhë“, „Sporti ndërton ura“ „Sporti bashkon“ janë prej vitesh inventari ynë.

Mbështetje nga elita

Hapat e parë të klubit kanë nisur me Xhakën, vazhdojnë me Shaqirët, dhe një numër të madh lojtarësh cilësorë që kanë luajtur deri në akademinë e shkollës së FC Baselit. Dardania i kryen stërvitjet pranverore prej disa vitesh me radhë në Kosovë e Shqipëri dhe ka mbështetjen e kantonit me projekte integruese në turnirin veror. Veç kësaj, dardanët kanë një tifozëri të lartë dhe elita e futbollistëve shqiptarë të Zvicrës nuk shihet askund më tepër se në këtë ekip.