Lajme

Greqia rihap baret e restorantet, gati për sezonin turistik

Pas gjashtë muajsh të mbyllur, restorantet, baret dhe kafenetë në Greqi kanë nisur të presin klientët e parë.

Një rihapje, e cila shpresohet se do t’u japë bizneseve një nxitje shumë të nevojshme në një ekonomi, e cila është gjunjëzuar nga pandemia.

Në orët e para të rihapjes u pa se ishin vendosur tabelat njoftuese, duke paralajmëruar se në secilën tryeze lejohen vetëm gjashtë persona. Disa pronarë shprehen se klientët kishin bërë rezervime paraprakisht.

Qytetarët grekë ndihen të lumtur t’i rikthehen paksa normalitetit, të shkojnë në restorante, taverna, plazh dhe kafene.

Hapja e vendit nisi pas fundjavës së Pashkës Ortodokse, pasi për shkak të kufizimeve të udhëtimit jashtë komunave  shumë banorë u ndaluan të udhëtonin në fshatra ose shtëpi verore, siç është tradita.

Në një vend me 11 milionë banorë, më shumë se tre milionë kanë marrë të paktën një dozë vaksine.