Ministri kosovar i Financave Avdullah Hoti bëri të ditur se në total, mbështetja e Qeverisë Gjermane për këto dy vite, 2014 dhe 2015, përmes asistencës teknike arrin vlerën prej 20 milionë eurove.
„Nga projektet e përfshira në marrëveshje theksohet edhe një herë vullneti i Qeverisë Gjermane së bashku me atë të Republikës së Kosovës për fuqizimin e mëtutjeshme të kapaciteteve të organeve institucionale të cilat luajnë rol shumë të rëndësishëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Hoti.
“Ne po nënshkruajmë sot marrëveshjet për projektet e bashkëpunimit teknik në shumën prej mbi 20 milionë euro. Në fokus janë vënë sfidat më të rëndësishme për Kosovën me qëllim të ngritjes së një ekonomie private aktive dhe një administrate të përgjegjshme, si dhe arritjes së punësimit të njerëzve”, tha zëvendës Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Christina Gehlsen.
Nga 20 milionë eurot gjermane janë paraparë 7.5 milionë për vitin 2014 kurse 12. 5 milionë për vitin 2015.