Bota
Gjermania me masa të rrepta ndaj azilkërkuesve
Ministri i Brendshëm gjerman do të zgjasë për një kohë të pacaktuar kontrollet e rrepta në kufirin gjerman. Kjo gjë do të rrisë edhe presionin politik në nivel evropian për të modernizuar sistemin e azilit
Në një konferencë në Berlin ministri i brendshëm gjerman, Horst Seehofer, mbrojti forcimin e kontrolleve kufitare, të cilat kanë nisur në fillim të nëntorit dhe kërkoi zgjatjen pa afat të tyre. Policia ka të drejtë të kontrollojë personat dhe automjetet direkt në kufi dhe deri 30 km larg tij.
Qëllimi kryesor, tha Seehofer, është të gjenden personat, të cilët me gjithë refuzimin e kërkesës për azil duan të hyjnë përsëri në Gjermani. Bujë bëri rasti i udhëheqësit të klanit libanez, Ibrahim Miri, i cili megjithëse ishte dëbuar, u kthye sërish në tetor përsëri në Gjermani ilegalisht, raporton DW.
Kontrollet e zgjeruara kufitare kryen tashmë prej 27 ditësh, u tha në Berlin. Gjatë këtyre ditëve është penguar hyrja në vend e 178 personave, tha Seehofer. Në këto kontrolle policia shpesh “ka gjetur ata që kërkonte”, deklaroi Presidenti i Policisë Gjermane, Dieter Romann. Gjithsej janë bërë më shumë se 100.000 kontrolle, përcjell albinfo.ch.
Romann bëri një listë të gjatë të zbulimit të delikteve të tjera gjatë këtyre kontrolleve: Për shembull janë kapur 1 177 persona, që ishin shpallur në kërkim. Ka patur 1235 shkelje të së drejtës së qendrimit, 406 zbulime droge, 205 shkelje të ligjit të mbajtjes së armëve, 47 falsifikime dokumentesh dhe 19 persona me sfond politik ekstremist.
“Goditjet” më të mëdha raportohen nga kufiri me Austrinë dhe Francën. Për shkak të këtyre shifrave të larta “prezenca e fortë e policisë është e domosdoshme për të garantuar sigurinë e qytetarëve”, tha Seehofer dhe shtoi: “Siguria e brendshme fillon në kufij”.
Presidenti i Policisë gjermane theksoi edhe një tjetër pikë: Burgjet, sidomos me pikat grumbulluese të paradëbimit, janë mbushur shpejt. Në mbarë vendin ekzistojnë 577 pika të tilla paradëbimi. Prej kohësh kjo ishte kritikuar shumë pak. Sipas Roman momentalisht janë 248.000 persona për t’u larguar nga Gjermania.
Partia ambientaliste (Të Gjelbrit) e cilësoi “farsë” bilancin e Seehoferit. “Me bilancin e tij për kontrollet ministri mashtron popullsinë se është duke forcuar sigurinë dhe me kontrollet e vazhdueshme kufitare rrezikon unitetin evropian të krijuar në dekada”, tha ekspertja e të Gjelbërve për politikën e brendshme, Irene Mihalic.
“Kontrollet inteligjente kufitare”, siç i quajti Seehofer, do të mbahen në fuqi “derisa të jetë garantuar mbrojtja e kufijve të jashtëm në Bashkimin Evropian”. Se si do të konstatohet kjo, Seehofer nuk e tha.
BE vendosi në fund të tetorit, që ta zgjerojë agjencinë e mbrojtjes së kufirit të BE-së Frontex në 10 000 punonjës. Kohët e fundit numri i hyrjeve ilegale në BE është ulur përsëri.
Prej vitesh Gjermania përpiqet që të bëhen përmirësime në sistemin e azilit në nivel evropian. Deri tani sukseset kanë qenë modeste. Së fundi Seehofer u përpoq të bindë partnerët e tjerë në BE, që të kenë një normë fikse të pranimit të refugjatëve, që vijnë me anije nga Mesdheu. Vetëm pak shtete pranuan. Një shembull tjetër: Seehofer kerkonte që refugjatët të kontrolloheshin në “qendra mbërritjeje” në periferi të BE-së. Por nuk gjeti partnerë në Ballkan apo në Afrikën Veriore që të bashkëpunonin për këtë. Edhe sistemi europian i azilit, e ashtuquajtura Marrëveshje e Dublinit konsiderohet si e vjetruar – reforma dështoi.
Shumë shpresa drejtohen tani tek Presidentja e re gjermane e Komisionit të Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen. Përveç kësaj Gjermania në vitin 2020 është presidente Këshillit të BE-së. Seehofer shprehu besimin e tij se do të mund të arrihen përparime në këtë kuadër. Sërish ministri i Brendshëm gjerman promovoi modelin e tij që të vendoset në kufijtë e jashtëm, se kush ka shanse për azil dhe kush duhet të kthehet atdhe.
Seehofer u drejtoi vendeve të BE apelin, që kontrollet e reja kufitare në Gjermani të jenë „standarde për të gjitha vendet e Shengenit”, pra për zonën evropiane, ku evropianët mund të lëvizin lirshëm. I pyetur nga DW, Seehofer saktësoi se „do të shfrytëzojë çdo mundësi, për të biseduar me partnerët e BE”.
Gjermania vazhdon të ofrojë personel dhe asistencë teknike. Kështu një numër i madh i kamerave termike do t‘i dërgohen Kroacisë pas kërkesës së saj. Edhe me Bosnjën ka një bashkëpunim, veçanërisht për të përmirësuar situatën humanitare të refugjatëve.
E-Diaspora
-
Dënim i përjetshëm për të burgosurin shqiptar: Ka vrarë një të burgosur tjetër Ai tashmë po vuan një dënim me burgim të përjetshëm për tentativë vrasjeje. Tani, personi 43-vjeçar... -
Mërgimtarët ia mësyjnë Kosovës, rritet fluksi në pikat kufitare -
Kush është shqiptari që ishte pjesë e triumfit të Spanjës në Botërorin 2026? -
Orges Bytyqi përfundon me sukses kursin TOEFL dhe nis studimet në Eötvös Loránd University -
Zvicër
Hekuran Bytyçi doktoron në Zvicër dhe merr pozitë udhëheqëse në kardiologji
Jeta në Austri
-
Linz, Austri: Policia shpëton nga vdekja kosovaren, nënë e dy fëmijëve Incidenti dramatik ndodhi rreth orës 6:10 të mëngjesit kur një burrë 29-vjeçar nga Kosova zbuloi gruan... -
Austri: Paralajmërohen stuhi, niveli i kuq i paralajmërimit për disa zona -
Zakir Popaj, pianisti shqiptar që performon në kafenetë më prestigjioze të Vjenës -
Austri
Dy të rinj shqiptarë organizojnë forumin ndërkombëtar “Future Diplomats” në Austri -
Kurrikula e re e shkollave të mesme austriake shton inteligjencën artificiale, demokracinë dhe median













