Gruaja

Formohet Forumi i Gruas i Degës së LDK-së

U zgjodh edhe kryesia ndërsa kryetare e forumit të posaformuar u zgjodh njëzeri Minire Shala, stomatologe

Në sallën e Restaurantit Kreuz ne Bellach/SO, fundjavën e kaluar Forumi i Gruas i Degës së LDK-së në Zvicër, mbajti Kuvendin zgjedhor, në të cilin merrnin pjesë përfaqësuese të nëndegëve të Degës së LDK-së në Zvicër, bëhet e ditur në një njoftim nga Dega e LDK-së në Zvicër

Kuvendi zgjedhor i Forumit të Gruas të Degës së LDK-së në Zvicër, u hap nga Florije Avdyli e cila dha një kronologji të iniciativës për formimin e Forumit të Gruas në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër.

Në vazhdim z. Avdyli, theksoi nevojën e përfshirjes më të madhe të femrës në rrjedhat e organizimit të Degës së LDK-së në Zvicër, për të dhënë edhe ajo kontributin në zgjidhjen e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohen mërgimtarët shqiptarët në Zvicër e posaçërisht femrat shqiptare.

Pastaj fjalën e mori kryetari i Degës së LDK-së në Zvicër, i cili gjatë diskutimit të tij, u përqëndrua në rolin dhe rëndësinë që ka përfshirja e femrës në të gjitha sferat e organizimit të kësaj Dege siç janë; veprimtarive arsimore, kulturë, në ruajtjën e gjuhës dhe traditës tone shqiptare si dhe në integrimin në shoqërinë zvicerane.

LDK-ë është e përkushtuar që në mënyrë sa më masive të përfshijë të gjitha kuadrot e reja profesionale, rininë si dhe një hapësirë të veçantë i kushton inkuadrimit të femrës në Degën e LDK-së, duke i siguruar edhe rol udhëheqës në vendimmarrje.

Në këtë kuvend mori pjesë edhe deputetja e Parlamentit të Kosovës dhe anëtarja e kryesisë së FG-së të LDK-së, Kimete Bytyqi e cila përshëndeti punimet e këtij kuvendi.

Z. Kimete Bytyqi tha se mbajtja e Kuvendit të Forumit të Gruas në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër është moment me rëndësi, sepse kjo është oganizata më masive e gruas në Kosovë, është pjesa më vitale dhe më e rëndësishme e LDK-së që nga themelimi para 23 vjetësh.

FG ka treguar integrimin dhe konsolidimin e rolit të gruas në shtetin dhe në shoqërinë e vendit tonë, duke besuar se në këtë kuvend dhe në strukturat që sot do të zgjedhen, ato do të jenë të afta që ta udhëheqin FG në këtë Degë të LDK-së.

Në diskutimet e tyre konstruktive u angazhuan: Minire Shala, Valdete Masurica, Mirdete Krasniqi, Lirije Milla – Kordiqi, Bukurije Syla ,Safete Lokaj, Vlora Avdullahu, etj. Ato, formimin e Forumit të Gruas e konsideruan si një krah të fortë në rrugëtimin e realizimeve programore të Degës së LDK-së në Zvicër, e cila tashmë e ka dëshmuar rolin e saj në organizimin e mërgimtarëve dhe ruajtjën e traditës dhe të kulturës shqiptare në Zvicër si dhe për të bashkëpunuar me organizata të tjera simotra që veprojnë në Zvicër..

Në vazhdim Kuvendi zgjodhi kryesinë prej 13 anëtaresh.

Kryetare u zgjodh njëzeri Minire Shala, stomatologe. Nënkryetare Florije Avdyli,mësuese, sekretare Valdete Masurica, ekonomiste, arkëtare, Mirdete Krasniqi, arsimtare e matematikës. Ndërsa anëtare të kryesisë u zgjodhën:Zyrafete Dalloshi, Lirije Milla – Kordiqi, Bukurije Syla, Afërdita Musa, Safete Lokaj, Vlora Avdullahu, Vaide Arifi dhe Remzije Matoshi, huhet në fund të kumtesës së dërguar nga Sektori për informim i Degës së LDK-së në Zvicër.