Shqipëria

Ferit Hoxha takon përfaqësuesit e Luginës së Preshevës: Të drejtat e shqiptarëve, prioritet i diplomacisë shqiptare

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka pritur në Tiranë drejtuesit e institucioneve dhe përfaqësuesit e zgjedhur shqiptarë nga Lugina e Preshevës.

Në takim morën pjesë deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi, Enkel Rexhepi, përcjell albinfo.ch.

Sipas ministrit Hoxha, në fokus të bisedimeve ishin të drejtat e shqiptarëve në Serbi, ruajtja e identitetit kombëtar, forcimi i përfaqësimit të tyre politik dhe institucional, si dhe adresimi i nevojave konkrete të qytetarëve të Luginës së Preshevës.

“Një bisedë e lirë, e drejtpërdrejtë, por mbi të gjitha vëllazërore dhe përmbajtësore, për çështjet që na bashkojnë dhe që kërkojnë bashkërendim të vazhdueshëm”, ka deklaruar Hoxha pas takimit.

Kreu i diplomacisë shqiptare ka theksuar se përfaqësimi i denjë politik, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe krijimi i mundësive për të rinjtë kërkojnë angazhim të vazhdueshëm.

“Përfaqësimi real dhe i denjë, ruajtja dhe forcimi i identitetit kombëtar, arsimimi, zhvillimi ekonomik dhe mundësitë për të rinjtë nuk janë çështje episodike. Ato kërkojnë vëmendje të vazhdueshme, bashkërendim dhe veprim konkret”, ka deklaruar Hoxha.

Ai ka bërë të ditur se çështja e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës mbetet ndër prioritetet e qëndrueshme të veprimit diplomatik të Shqipërisë.

“Shqipëria do të vijojë të jetë pranë shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me angazhim, dialog dhe mbështetje konkrete”, ka përfunduar ministri Hoxha.

Takimi në Tiranë vjen në kuadër të komunikimit dhe koordinimit mes institucioneve shqiptare dhe përfaqësuesve politikë e institucionalë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.