Lajme

Universiteti Politeknik i Cyrihut (ETH) rikthehet në mesin e 20 universiteteve më të mira në botë

Universitetet zvicerane vazhdojnë të renditen mes institucioneve më të mira akademike në botë. ETH Zürich është ngjitur në vendin e 19-të në renditjen prestigjioze “Academic Ranking of World Universities” (ARWU), e njohur edhe si Shanghai Ranking.

Universiteti Politeknik i Cyrihut (ETH)  ka rikthyer pozitën e saj në mesin e 20 universiteteve më të mira në botë. Sipas renditjes së fundit ARWU, institucioni zviceran është ngjitur nga vendi i 22-të në vendin e 19-të, shkruan Blick, përcjell albinfo.ch.

Shanghai Ranking Consultancy vlerëson që nga viti 2003 universitetet nga e gjithë bota, duke u bazuar në gjashtë kritere të ndryshme. ETH Zürich ka shënuar rezultate veçanërisht të mira në fushën e kërkimit shkencor dhe publikimeve.

Në vlerësim merren parasysh, ndër të tjera, numri i studiuesve më të cituar në fushat e tyre, rezultatet kërkimore të publikuara në revista të rëndësishme shkencore, si dhe performanca akademike në raport me madhësinë e universitetit.

Një prej pikave ku ETH Zürich rezulton më dobët është numri i ish-studentëve që më vonë kanë fituar çmime prestigjioze ndërkombëtare, si Çmimi Nobel apo Medalja Fields.

Pesë universitete zvicerane në Top 100

Përveç ETH Zürich, edhe katër universitete të tjera nga Zvicra kanë arritur të futen në mesin e 100 institucioneve më të mira në botë.

EPFL në Lozanë renditet në vendin e 43-të, Universiteti i Gjenevës në vendin e 55-të, Universiteti i Cyrihut në të 65-in dhe Universiteti i Bazelit në vendin e 91-të.

Universitetet e Bernës dhe Lozanës renditen në grupin 151–200, ndërsa Università della Svizzera italiana në Lugano gjendet mes vendeve 601–700. Universiteti i Fribourgut renditet në grupin 901–1000.

Në përgjithësi, universitetet zvicerane kanë përmirësuar pozicionet e tyre krahasuar me renditjen e mëparshme. Përjashtim bën Universiteti i Cyrihut, i cili ka humbur një pozitë.

Universitetet amerikane dominojnë renditjen

Në krye të Shanghai Ranking vazhdojnë të dominojnë universitetet amerikane. Harvard University mban vendin e parë, i ndjekur nga Stanford University dhe Massachusetts Institute of Technology (MIT).

Tetë nga dhjetë universitetet më të mira në botë janë nga Shtetet e Bashkuara. Dominimin amerikan në Top 10 e ndërpresin vetëm universitetet britanike Cambridge dhe Oxford.