Lajme

Erdogani: Turqia nuk mund të braktisë lidhjet me Rusinë apo Ukrainën

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë sulmi rus në Ukrainë “është i papranueshëm”, mirëpo shteti i tij nuk do t’i kthejë shpinën asnjërit shtet, pasi me të dyja vendet ka lidhje të forta.

Duke folur pas një takimi të kabinetit më 28 shkurt, Erdogan ka thënë se Turqia, vend anëtar i NATO-s, do të respektojë angazhimet që ka ndaj Aleancës, ndonëse nuk do të shpërfillë “interesat rajonale” në rajon.

Ai ka shtuar se Turqia, e cila ndan kufirin detar me Ukrainën dhe Rusinë dhe ka lidhje të mira me të dyja shtetet, do të zbatojë paktin ndërkombëtar detar për të parandaluar përshkallëzimin e luftës.

Sipas Konventës së vitit 1936, Turqia ka të drejtë t’ua ndalojë anijeve luftarake përdorimin e Dardaneleve dhe Bosforit gjatë luftës.

Ukraina i ka kërkuar Ankarasë që të zbatojë Traktin dhe t’ua bllokojë qasjen anijeve luftarake ruse.

Ankaraja ka lidhje të ngushta me Rusinë në sektorët e energjisë dhe mbrojtjes, mirëpo Ukrainës i ka shitur dronë dhe ka nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim.