Lajme

Energjia diellore e shpëton Zvicrën nga mungesa e energjisë elektrike këtë verë

Pas javësh të tëra me thatësirë dhe mungesë të reshjeve të konsiderueshme, nivelet e ujit në lumenjtë dhe rrjedhat ujore të Zvicrës kanë rënë ndjeshëm, duke ndikuar edhe në prodhimin e energjisë elektrike.

Në disa zona, përrenjtë janë reduktuar në rrjedha minimale, ndërsa lumenj të mëdhenj si Aare, Rin dhe Rhône po regjistrojnë nivele ndër më të ulëtat e prurjeve të ujit, transmeton albinfo.ch.

Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në hidrocentralet që shfrytëzojnë rrjedhën e lumenjve, të cilat aktualisht po prodhojnë dukshëm më pak energji elektrike krahasuar me mesataren shumëvjeçare.

Situata është komplikuar më tej gjatë valëve të të nxehtit të kësaj vere, kur edhe dy reaktorët e centralit bërthamor Beznau janë ndalur.

Megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, Zvicra nuk po përballet me mungesë të energjisë elektrike. Një rol vendimtar në kompensimin e rënies së prodhimit nga burimet e tjera po luan energjia diellore.

Rritja e kapaciteteve fotovoltaike ka bërë që prodhimi nga panelet diellore të jetë veçanërisht i rëndësishëm gjatë ditëve të nxehta dhe me shumë diell, duke ndihmuar në ruajtjen e furnizimit me energji elektrike.

Kështu, energjia diellore po dëshmon gjithnjë e më shumë rëndësinë e saj në sistemin energjetik zviceran, veçanërisht në periudha kur thatësira dhe temperaturat e larta kufizojnë prodhimin nga hidrocentralet dhe burimet e tjera.