Lajme
Edicioni i pestë i Kino Kosova 2026 konfirmoi suksesin dhe peshën kulturore në Cyrih
“Return To Kosovo” dhe “House With a Voice” shënuan natën përmbyllëse të festivalit me rrëfime të fuqishme mbi kujtesën, mbijetesën dhe dinjitetin njerëzor.

“Këtë vit e kemi ndjerë shumë fuqishëm lidhjen mes filmave dhe publikut. Sallat plot, diskutimet pas shfaqjeve dhe interesimi për temat që trajtonin filmat treguan se Kino Kosova është shndërruar në një platformë të rëndësishme sensibilizimi përmes artit dhe ekranit të kinemasë. Për ne ka qenë me rëndësi që përmes filmave të përcillen mesazhe të fuqishme njerëzore mbi luftën, kujtesën, drejtësinë dhe paqen.

Në një kohë kur në shumë pjesë të botës vazhdojnë luftërat, zhvendosjet dhe krizat humanitare, kinemaja mbetet një nga format më të fuqishme për të dokumentuar të vërtetat historike, për të ruajtur kujtesën kolektive dhe për të rikujtuar rëndësinë e paqes, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë morale për të mos heshtur përballë padrejtësive”, u shpreh për albinfo.ch drejtori i festivalit Sabahet Meta në natën përmbyllëse të festivalit.

Sallat e mbushura gjatë gjithë festivalit, interesimi i madh i publikut dhe diskutimet intensive me regjisorë e autorë dëshmuan se Kino Kosova tashmë ka krijuar një identitet të konsoliduar kulturor në diasporë.
Tema e sivjetme e festivalit, “Between Resistance and Paradise, Stories of Survival and Hope” (“Mes rezistencës dhe parajsës: Histori mbijetese dhe shprese”), u reflektua fuqishëm në natën përmbyllëse përmes dy dokumentarëve që trajtuan luftën, traumën, identitetin dhe lirinë individuale.

Në qendër të mbrëmjes ishte dokumentari “Kthimi në Kosovë” ( Return To Kosovo), i cili solli një nga rrëfimet më të ndjeshme mbi pasojat njerëzore të luftës në Kosovë. Filmi ndjek rikthimin e gazetarit britanik Julius Strauss në Kosovë, më shumë se dy dekada pasi kishte takuar pesëvjeçarin Besnik Deliu, të mbijetuarin e një masakrës së Abrisë ku u masakruan 23 anëtarë të familjes së tij.

Nga një takim i rastësishëm gjatë luftës, dokumentari ndërton një rrëfim të fuqishëm mbi kujtesën, plagët e së kaluarës dhe nevojën për ta kuptuar historinë përmes përvojës njerëzore. Rikthimi i tyre në vendin e masakrës paraqitet si një përballje emocionale me traumën dhe me pyetjet që mbeten të hapura edhe pas shumë vitesh. “Return To Kosovo” është realizuar nga Emma Strauss, Julius Strauss, Donald Harding dhe Ben Harding.
Po aq i fuqishëm ishte edhe dokumentari House with a Voice, i cili trajton historinë e gjashtë burrneshave shqiptare që vendosën të jetojnë në rolin mashkullor për të shmangur strukturat patriarkale, martesat e detyruara dhe kufizimet ndaj grave. Filmi sjell rrëfime intime mbi sakrificën, identitetin dhe lirinë, duke sfiduar konceptet tradicionale mbi gjininë dhe rolin e gruas në shoqëri. Përmes dëshmive personale, dokumentari hap një reflektim të thellë mbi dinjitetin njerëzor dhe mbi mënyrën se si shoqëritë patriarkale vazhdojnë të vendosin kufij mbi jetën dhe lirinë e grave.

Në këtë kontekst, filmi rezonon fuqishëm edhe me debatet aktuale globale mbi femicidin, dhunën ndaj grave dhe protestat që zhvillohen çdo vit në vende të ndryshme të botës për mbrojtjen e të drejtave të grave. Ai rikujton se edhe sot, mijëra gra vazhdojnë të vriten nga partnerët apo familjarët e tyre, ndërsa në shumë shoqëri jeta, zëri dhe autonomia e gruas ende trajtohen si më pak të vlefshme. Pikërisht përmes historive të burrneshave, dokumentari nxjerr në pah peshën e strukturave patriarkale dhe mënyrën se si gratë shpesh detyrohen të sakrifikojnë identitetin dhe jetën personale për të fituar liri, siguri apo respekt shoqëror.
Pas shfaqjes, publiku zhvilloi një diskutim të gjatë me regjisoren Kristine Nrecaj, e cila foli për procesin e realizimit të filmit dhe për rëndësinë që këto histori të dokumentohen jo vetëm si fenomen kulturor shqiptar, por edhe si reflektim universal mbi lirinë dhe mbijetesën.

Edicioni i sivjetshëm u konceptua nga organizatorët si një rrëfim i vazhdueshëm kulturor mes Cyrihut dhe Bernës, nën moton ‘One Festival. Two Chapters.’, ku festivali nisi dialogun artistik në Cyrih për ta vazhduar më pas në Bernë.
Për të pestin vit me radhë, albinfo.ch ishte sponsor medial i festivalit.

Faqja zyrtare: Kino Kosova Film Festival
Lexoni po ashtu;
“Kino Kosova” hapi dyert me sallat plot dhe rrëfime që sollën Kosovën në ekran
E-Diaspora
-
AHV 2030: Pensioni nuk vjen më vetë – pse duhet ta planifikoni më herët në Zvicër Autoritetet zvicerane publikuan në maj projektin për konsultim të reformës AHV 2030. Synimi është stabilizimi i... -
Nga Zvicra në Kosovë: Historia e Vali Ranch në fokus te televizioneve shqiptare -
Kino Kosova rikthehet në Bernë: Edicioni i shtatë mbahet më 9–13 shtator 2026 -
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane”
Jeta në Austri
-
Edhe mësuesit shqiptarë nga Austria pjesë e Seminarit të Mësuesve të Diasporës Seminari i 19-të i mësuesve të diasporës në Brezovicë... -
Austri: Deri në 17 për qind më shumë natyralizime në gjysmën e parë të vitit -
Shkollat e Policisë në Vjenë përballen me vende të zbrazëta pavarësisht 900 aplikantëve -
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin













