Kosova

E vret me sëpatë për shkak të mosmarrëveshjeve për dru!

Sipas mediave vendase, vrasja ka ndodhur për motive shumë të ulëta. Ata kanë pasur mosmarrëveshje për drutë. 81-vjeçari ka mbetur i vdekur, derisa djali i tij është plagosur me armë zjarri

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar shtetasin F. Ll. (1971) për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes së shtetasit I.G. (1936) dhe plagosjes së shtetasit F.G. (1985), përcjell albinfo.ch.

“Policia e Kosovës sot rreth orës 15:10 ka pranuar informacion se në rrugën ‘Muharrem Kelmendi’ në Pejë, kishte një incident me persona të plagosur. Njësitet policore kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe në lokacione tjera të nevojshme. Sipas të dhënave hetimore, mësohet se i dyshuari pasi që e ka kanosur viktimën I.G., të njëjtin e ka qëlluar me sëpatë në kokë, me ç’rast viktima është transportuar me ndihmën e qytetarëve deri në Spitalin Rajonal në Pejë dhe përkundër përpjekjeve të ekipit emergjent mjekësor për t’i shpëtuar jetën i njëjti ka ndërruar jetë në ora 16:04”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia e Kosovës gjithashtu ka njoftuar se viktima tjetër F.G. është hasur në vendin e ngjarjes, në një pozitë gjysmë të shtrirë me një pistolete në dorë, ai kishte dy plagë nga arma e zjarrit.

“Policia e çarmatos personin dhe njofton autoambulancën e cila nga vendi i ngjarjes e transporton viktimën ne spitalin rajonal Pejë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit mjekësor gjendja shëndetësore e personit plagosur është e rëndë, por stabile. Rasti është duke u hetuar nga hetuesit rajonal DRP Pejë, në bashkëpunim të plotë me prokurorin e shtetit.

Sipas mediave vendase, vrasja ka ndodhur për motive shumë të ulëta. Ata kanë pasur mosmarrëveshje për drutë. Viktimat ishin babë e birë. Mësohet se babai është vrarë, derisa djali i tij tashmë ndodhet në spital.