Lajme
“Dua të garoj për Kosovën ose Zvicrën”, ëndrra e bukur e Luanës dhjetëvjeçare
Për të, kuajt nuk janë vetëm sport, por një hapësirë ku mëson durimin, përgjegjësinë dhe besimin
Luana Lahu është dhjetë vjeçe dhe ndjek kurs kalërimi profesional. Për të, kuajt nuk janë vetëm sport, por një hapësirë ku mëson durimin, përgjegjësinë dhe besimin.
Pasioni i saj ka ardhur si ndjesi. Që fëmijë, Luana pëlqente kukullat dhe figurat e lojës, por një përballje e rastësishme me kuajt ia ndryshoi drejtimin kureshtjes. “Dashuria për kuajt lindi kur pashë vajza duke hipur në kuaj. Aty ndjeva se kjo ishte diçka që më tërhiqte vërtet,” kujton ajo. Ishte një çast i thjeshtë, pa zhurmë, që u shndërrua në pikënisje.
Kalërimi u bë pasion në momentin e parë të afërsisë. “Një kalë u afrua tek unë dhe unë fillova ta përkëdhel pa frikë. Atëherë e kuptova se kjo lidhje ishte më shumë se lojë,” thotë Luana. Që prej asaj dite, marrëdhënia me kuajt është ndërtuar me hapa të vegjël, por të qëndrueshëm.
Sot, të qenit pranë një kali për të është një gjendje qetësie. “Ndjej lumturi dhe e vërej se edhe kali ma kthen dashurinë,” shprehet ajo. Kalërimi nuk matet me shpejtësi apo rezultate të menjëhershme; është kohë e përbashkët, ritëm i përbashkët, liri e ndarë. “Më pëlqen kontakti i afërt me kalin dhe koha që kalojmë së bashku.”
Kjo lidhje ndërtohet edhe mbi disiplinë. Luana ndjek kurs kalërimi profesional, ku mëson teknikën, rregullat dhe përgjegjësinë që kërkon ky sport. “Dua ta mësoj këtë sport siç duhet dhe të përmirësohem çdo ditë,” thotë ajo, duke e parë stërvitjen si pjesë të natyrshme të pasionit, jo si detyrim.
Komunikimi me kalin është i drejtpërdrejtë dhe i butë. “Komunikoj përmes përkëdheljes, lavdërimit dhe duke ia përmendur emrin,” shpjegon Luana. Ajo e di se siguria ndërtohet me qetësi dhe respekt. “Një kalë ka nevojë për shumë dashuri, qartësi, qetësi dhe besim.” Janë parime që shkojnë përtej stallës dhe bëhen pjesë e karakterit.
Kalërimi i ka mësuar edhe durimin. “Kuajt kanë nevojë për kohë për të mësuar,” thotë ajo. Edhe momentet e vështira janë kthyer në mësime. “Ka ndodhur që kali im të mos donte të vazhdonte. Duhej të isha e qetë dhe e durueshme, të zbrisja dhe ta ftoja sërish me ushqime shpërblyese.” Nuk e quan pengesë, por proces.
Përveç kalërimit, Luana merret edhe me ski. Dy sporte të ndryshme, por me një ndjesi të përbashkët lirie. “Ndjenja është pothuajse e njëjtë,” thotë ajo, “vetëm se kalërimi është stërvitje me një kafshë të gjallë, ndërsa skijimi është rrëshqitje mbi borë, ku ekuilibri dhe koordinimi janë shumë të rëndësishme.”
Në këtë rrugëtim, mbështetja familjare është themelore. “Mbështetja e prindërve është shumë e rëndësishme për mua, sepse më ndihmon ta zhvilloj pasionin tim dhe t’i arrij qëllimet e mia,” thekson Luana, duke përmendur edhe instruktoren e kalërimit profesional por dhe motrat e saj Alisa dhe Elda dhe vëllai i vogël Leani që e motivojnë vazhdimisht.
Mesazhi i saj për bashkëmoshatarët është i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë: “Mos e humbni mundësinë. Shkoni, shikojeni sportin që ju pëlqen dhe provojeni.” Për prindërit, mendimi i saj është po aq i qartë: “Me mbështetjen e prindërve Arben dhe Eneida Lahu, fëmijët bëhen më të lumtur dhe pasioni i tyre forcohet.”
Luana vazhdon stërvitjet e saj, ajo gjithashtu është një nxënëse shembullore. Kalërimi është bërë pjesë e përditshmërisë së saj dhe, bashkë me të, edhe procesi i të mësuarit. Në moshën dhjetëvjeçare, ajo nuk ka nevojë për përkufizime të mëdha mjafton fakti që e di pse hipën në kalë dhe pse i kthehet këtij sporti çdo ditë.
Ëndrrat e saj janë të qarta dhe të përmbajtura. “Dua të kem një kalë për ta kujdesur vetë dhe të kaloj më shumë kohë me kuajt,” thotë fillimisht. Më pas shton: “Ëndërroj që një ditë të marr pjesë në një turne të madh dhe të garoj për Kosovën ose Zvicrën.” Dhe një imazh që e shoqëron këtë dëshirë: “Do të doja që njerëzit të më kujtojnë si dikë që ka fituar një garë me flamurin e Kosovës.”
Për albinfo.ch Luljeta Ademi
E-Diaspora
-
Winterthur
Ansambli “Trojet” prezantohet sonte me valle shqiptare në festivalin ndërkulturor në Winterthur Vallet dhe traditat shqiptare prezantohen nga ansambli “Trojet” në një mbrëmje ndërkulturore me pjesëmarrjen e komuniteteve... -
Prishtinë
Koncert i muzikës klasike në Prishtinë me Victor Julien-Laferrière dhe Filharmoninë e Kosovës -
Ardian Gjini i drejtohet diasporës: Mos e votoni Albin Kurtin -
Bronx
Panairi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” mbledh mijëra shqiptarë në Bronx -
Zyra e BE-së në Kosovë shpall Shqipe Neziri Velën “Europiania e Vitit 2026”
Jeta në Austri
-
Me 15-16 maj 2026 në Prishtinë do të mbahet edicioni i 10-të i Konferencës Ekonomike i organizuar nga Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare Konferenca Ekonomike B2b pritet të bashkon mbi 400 biznese shqiptare nga diaspora dhe trojet shqiptare... -
Pas sistemit të ri monitorues të targave, rregulla të ashpra për shoferët në Austri -
Linz: Burri dyshohet se vrau gruan dhe vajzën e tij, e më pas veten -
Vjenë
Libri me poezi ‘‘I dashtuni im zdrukthtar’’ do të promovohet edhe në Vjenë -
Një ditë e zakonshme që u kthye në festë zyrtare: Historia e 1 Majit















