Lajme

Dr. Haki Kryeziu, në krye të Kirurgjisë në Spitalet e Salzburgut

Dr.Haki Kryeziu është kryemjek (Oberarzt) i Kirurgjisë në Klinikat universitare (SALK) të Salzburgut që nga viti 2015. Në vitin 2022 ai hapi edhe ordinancën e tij private po në Salzburg. Aty kryen shërbime si mjek familjar dhe i kirurgjisë viscerale

“Salzburgu më kujton Prizrenin e Pejën”

Ishte shtatori i vitit 1991 kur Haki Ali Kryeziu, si një stazhier i sapodiplomuar në Universitetin e Prishtinës u nis për në Austri. Dëshira e tij e madhe ishte që të bëhej kirurg, ndonëse pak kishte ditur për rrugën e gjatë që do t`i duhej ta ndiqte që të arrinte suksesin. Dhe, jo gjithçka do t`i dilte sipas planit. Lufta në Kosovë e ndikoi shumë, ani pse po jetonte në Salzburg.

“Si një mjek i ri, doja të bëja një subspecializim, nuk isha i vetëdijshëm në atë kohë për peripecitë dhe pengesat në vijim. Nuk e dija gjuhën dhe m’u desh t´ia nisja nga zeroja duke u vetëfinancuar nga lloj-lloj punësh që kryeja, si: në ndërtimtari, industri metalike, etj. Kur filloi lufta në Ballkan sikur harrova veten dhe fillova ta ndihmoja nga distanca familjen time në Kosovë. Po ashtu, pas luftës në Kosovë u angazhova që të dërgoj ndihma të pajisjeve mjekësore falas për shëndetësinë atje. Kështu, vetëm nga fundi i viteve 90´ paraqita lutjen ne Vjenë për nostrifikim të diplomës së Prishtinës”, thotë mjeku.

Qëndrimi për disa vite në Salzburgun e Mozartit, bëri që Dr. Kryeziu të dashurohej me këtë qytet. Ai, bukuritë e tij i krahason me dy nga qytetet më të këndshme të Kosovës.

“Unë që nga ardhja ime në Austri kam jetuar dhe punuar në qytetin e bukur të Salzburgut. Fillova të dashurohem me këtë qytet pasi që më kujtonte Prizrenin dhe Pejën me Lumbardhin në mes”, thotë mjeku.

Realizimi i ëndrrës, specializimi për kirurgji në Bayern të Gjermanisë

Qysh kur ishte fëmijë, Dr.Haki Kryeziu e kishte pasur të qartë se çfarë lloj mjeku do të bëhej. Kirurg, i kishte thënë i ati, sepse në atë mënyrë do të ishte në gjendje t´u shpëtonte jetën të tjerëve.

“Babai më thoshte se kirurgjia është e veçantë, sepse mund t´ia shpëtosh dikujt jetën. Kështu që unë ëndërr e kam pasur gjithmonë kirurgjinë. Qysh në vitin e parë të punës si mjek i përgjithshëm m’u dha rasti që të konkurroj dhe të pranohem për specializim në kirurgji viszerale në Bavari, 17 km nga Salzburgu. Pas 6 vitesh ku bëra specializim për Kirurgji të Përgjithshme dhe Viszerale, u ktheva në Salzburg. Kjo degë e kirurgjisë ishte më e re në Austri sesa në Gjermani”, sqaron mjeku.

Pas kthimit në Salzburg, Dr.Kryeziu u emërua shef i Kirurgjisë në Spitalin rajonal të Hallein-it, i cili më 2017 iu bashkëngjit Qendrës Universitare të Salzburgut, e ku mjeku shqiptar vazhdon të punojë si Krymjek (Oberarzt) në Repartin e Kirurgjisë.

 

Hapja e ordinancës, shërbimet që ofrohen aty

Më 2022 pikërisht në Salzburg, Dr.Haki Kryeziu hapi ordinancën e tij, ku kryen shërbime për mjekësi familjare dhe kirurgji viszerale.

I gjetur mes shumë angazhimeve, ai thotë se profesionin e tij e kryen me dashuri dhe kjo e bën të vazhdojë tutje. Megjithatë, një reduktim i punës në spital edhe mund të pritet, për shkak të rritjes së numrit të pacientëve në ordinancë.

Ndërsa, mjeku ka treguar shërbimet që i ofron në spital dhe ato në ordinancë.

“Si kryemjek në spital bëj operacionet, duke filluar nga ato abdominale të ndërlikuara, të zorrës së hollë dhe të trashë, hernive, proktologjinë, flebologjinë, etj. Kurse, në ordinancë p.sh. ofroj mjekimin e venave te sëmura me Laser/Radiofrekuencë, sklerozimin, pastaj mjekimin e sinusit pilonidat, intervenime kirurgjikale ambulatorike etj”, sqaron ai.

Për rastet e ndërlikuara Dr. Kryeziu thotë se nga mjekimi në ordinancën e tij, i dërgon për trajtim në spitalin, ku ai operacionin e udhëheq vetë.

Operimi me më shumë emocione, ai i nënës së tij

Ishin vitet e pasluftës në Kosovë, koha kur Dr.Haki Kryeziu ishte i zënë mes studimeve, mësimit të gjuhës gjermane dhe angazhimit për të dërguar ndihma mjekësore në Kosovë.

Në Spitalin e Prizrenit, siç na e ka përshkruar mjeku, mungonte në atë kohe personeli, aparatet, materialet, ashtu sikur në të gjitha qytetet në Kosovë. Nëna e tij, e cila vuante nga hipertensioni dhe diabeti, kishte nevojë për operim të këmbës për shkak të një frakture. Ajo e kërkonte medoemos djalin e saj që ta operonte.

Dëshira iu plotësua sigurisht nga Dr.Kryeziu, i cili brenda ditës udhëtoi për në Kosovë.

“Ishte e vetmja dëshirë e nënës time që të operohej nga unë. U konsultova me kolegët e kirurgjisë në Prizren dhe vendosa që ta operoj sipas nevojës dhe dëshirës. Për fat të mirë, operacioni në këmbë si dhe faza postoperative shkoi pa kurrfarë komplikimi”, thotë mjeku.

Shumë shqiptarë, pacientë të mjekut Kryeziu

Mes numrit të madh të pacientëve që marrin shërbim nga mjeku Kryeziu ka shumë shqiptarë. Ata udhëtojnë edhe nga qytetet e tjera të Austrisë për t’u konsultuar me mjekun shqiptar.

“Unë kam nderin t´u shërbej pacientëve nga trojet tona. Fatkeqësisht ndodh që ata për shkak të pengesës së gjuhës nuk arrijnë të marrin trajtimin që u nevojitet. Andaj, komunikimi i duhur mjek-pacient kompletohet dhe pacienti nga ordinanca ime largohet i kënaqur”, thotë mjeku.

Dr. Kryeziu nuk ka hezituar të ndihmojë edhe pacientët shqiptarë, të cilët kanë qenë raste të vështira për t´u trajtuar në Kosovë apo edhe Maqedoni të Veriut.

Mjeku tregon se shumë pacientë, situata shëndetësore e të cilëve ka qenë e komplikuar, i ka operuar dhe mjekuar në Qendrën Universitare të Salzburgut.

Sa i përket kontributit të tij në shëndetësinë në Kosovë, Dr. Kryeziu thotë se deri më tani nuk ka marrë ndonjë kërkesë serioze nga organet e Kosovës që të sjellë eksperiencën dhe profesionalizmin e tij në vendlindje.

Megjithatë, mjeku Kryeziu thotë se ka bashkëpunim të ngushte me kolegët e gjeneratës së tij në Prishtinë dhe Prizren. Me iniciativë të tij dhe me bashkëpunim me ta, ka kontribuar në trajnimin e personelit, shkëmbimin e përvojës, si dhe ka ndihmuar në kompletimin e Kirurgjisë Moderne me invasion minimal në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Ai është shprehur i gatshëm që në të ardhmen të sjellë kontributin e tij në trajnimin e gjeneratave të reja, qoftë ajo në kirurgjinë e përgjithshme-viszerale, e në rast nevoje edhe në kirurgjinë moderne robotike.

 

Link: WWW.CHIRURG-KRYEZIU.COM

WWW.MOOS15.AT