Muzikë

„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë

Një festë e kombit shqiptar në zemër të Evropës

Ka ditë që harrohen me kalimin e kohës, por ka edhe ditë që mbeten përgjithmonë në kujtesën e një populli. 28 Qershori 2026 ishte një ditë e tillë për komunitetin shqiptar në Austri, transmeton albinfo.ch.

Në zemër të qytetit të Grazit, flamuri kuqezi valëvitej krenar pranë flamurit austriak, ndërsa mijëra bashkatdhetarë u mblodhën për të festuar gjuhën, kulturën, traditat dhe identitetin tonë kombëtar. Për disa orë, Grazi u shndërrua në një copëz të atdheut, ku këngët, vallet, kostumet kombëtare dhe buzëqeshjet e fëmijëve krijuan një atmosferë të paharruar.

Për të gjashtën herë me radhë, Shoqata Kulturore, Sportive dhe Humanitare “Atdheu” organizoi me sukses „Ditën Kulturore Shqiptare“, një manifestim që tashmë është bërë simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë dhe një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore shqiptare në Austri.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i Shoqatës Atdheu, Bashkim Shala, falënderoi të gjithë bashkatdhetarët, artistët, mysafirët, shoqatat, bizneset, sponsorët, donatorët dhe qindra vullnetarë që kontribuan në organizimin e kësaj feste. Ai theksoi se kjo ditë nuk është vetëm një manifestim artistik, por një amanet për brezat e rinj që të mos harrojnë gjuhën, kulturën dhe rrënjët e tyre.

Manifestimin e përshëndeti edhe Albinot Bimbashi, i Ngarkuar me Punë i Ambasadës së Republikës së Kosovës në Austri, i cili përgëzoi Shoqatën “Atdheu” për organizimin shembullor dhe vlerësoi „Ditën Kulturore Shqiptare“ si një nga aktivitetet më të rëndësishme të diasporës shqiptare.

Para vazhdimit të programit artistik, poeti dhe shkrimtari, Ilmi Tahiri, përshëndeti të pranishmit, përgëzoi organizatorët dhe solli përshëndetjet nga

vendlindja.

Si shenjë mirënjohjeje, ai i dhuroi Shoqatës “Atdheu” shtatë botime të librave të tij për bibliotekën e saj.

Një mesazh të veçantë përcolli edhe mësuesja, Miradije Berisha, ku përfaqesojë Shoqatën e Mësuesëve „Naim Frasheri“ në Austri, e cila u bëri thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët në shkollat shqipe, duke theksuar se ruajtja e gjuhës është ruajtje e identitetit kombëtar.

Ndërkohë, aktivisti dhe gazetari Vehbi Haliti, falënderoi organizatorët dhe artistët për kontributin e tyre në këtë festë të madhe.

Programi u moderua me shumë profesionalizëm nga artistja, Emine Imeri, e cila krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe familjare gjatë gjithë manifestimit.

Në skenë përformuan, Ansambli “Hyjnesha” nga Grazi, ShKA “Zahir Pajaziti” nga Podujeva, Ansambli “Malësori”, Shoqata e Mësuesve Shqiptarë “Naim Frashëri”, Shoqata “Rinia”, Shoqata e Gruas “Kuq e Zi”, si dhe artistë, këngëtarë, valltarë e aktorë nga Austria dhe trojet shqiptare. Një pritje të jashtëzakonshme morën edhe aktorët e serialit “Edhe Malet Flasin”, të cilët sollën humor dhe emocione të veçanta për publikun.

Pjesë e rëndësishme e manifestimit ishte edhe pavijoni i librit dhe artit, i organizuar nga artisti Haxhi Fejzullahu, ku u prezantuan krijime letrare, artistike dhe fotografike.

Ndërkohë, sofra shqiptare, me shtatë sofra tradicionale që përfaqësonin të gjitha trevat shqiptare, dëshmoi pasurinë e kulturës sonë, mikpritjen dhe unitetin kombëtar.

I gjithë ky manifestim u ndjek nga fotografi i njohur,Remzi Feka, i cili në një kënd kishte ekspozu edhe disa  fotografi nga koleksioni i tij.

Në përmbyllje, Shoqata “Atdheu” shprehu mirënjohjen më të sinqertë për të gjitha shoqatat pjesëmarrëse, artistët, mësuesit, poetët, aktorët, bizneset, sponsorët, në veçanti Faton Blokqori dhe çdo vullnetar që kontribuoi në realizimin e kësaj dite të paharruar.

„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz nuk është vetëm një aktivitet kulturor, ajo është një urë që lidh diasporën me vendlindjen, një amanet për brezat e rinj dhe një dëshmi se shqiptarët, kudo që jetojnë, mbeten të bashkuar rreth gjuhës, kulturës dhe flamurit të tyre./Albinfo.ch