Lajme

Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University”

Pas më shumë se një dekade përvojë në sektorin bankar të Shqipërisë, ajo u specializua në fushat e udhëheqjes, sipërmarrjes dhe zhvillimit ekonomik përmes programit Hubert H. Humphrey.

Një tjetër sukses nga profesionistët shqiptarë në arenën ndërkombëtare vjen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Desarta Rapushaj ka përfunduar me sukses programin prestigjioz Hubert H. Humphrey FellowshipMichigan State University (MSU), në kuadër të programit të shkëmbimit profesional Fulbright, transmeton albinfo.ch.

Pas më shumë se një dekade përvojë në sektorin bankar në Shqipëri, Rapushaj iu bashkua këtij programi me synimin për të zgjeruar njohuritë dhe perspektivat e saj në fusha kyçe si udhëheqja, sipërmarrja dhe zhvillimi ekonomik.

Gjatë qëndrimit në Michigan State University, ajo pati mundësinë të përfshihej në një mjedis të avancuar akademik dhe profesional, duke krijuar lidhje me institucione dhe organizata të rëndësishme, përfshirë Michigan State Research Foundation, Spartan Innovations dhe Bankën Botërore.

Përmes kësaj eksperience, Desarta Rapushaj fitoi njohuri mbi modelet amerikane të zhvillimit ekonomik, inovacionit dhe ndërtimit të partneriteteve strategjike, të cilat mund të shërbejnë si bazë për iniciativa të reja në të ardhmen.

Programi Hubert H. Humphrey, pjesë e shkëmbimeve Fulbright, synon të zhvillojë liderë profesionistë nga vende të ndryshme të botës, duke u ofruar atyre mundësi për shkëmbim njohurish, bashkëpunim ndërkombëtar dhe zhvillim të mëtejshëm profesional.

Arritja e Desarta Rapushajt është një tjetër dëshmi e suksesit të profesionistëve shqiptarë në skenën globale dhe e kontributit të tyre në forcimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara./Albinfo.ch