Integrimi
Cyrihu u hap zemrën të huajve
Christoph Meier: Qyteti i Cyrihut ka vendosur të shtojë investimet për informimin e të huajve në gjuhët e tyre amtare
© albinfo.ch
Cyrihu është qyteti më i madh i Zvicrës dhe është normale që ky qytet për shumëçka të bëhet pikë referimi për gjithë vendin. Kështu është edhe me integrimin e të huajve ose me mikpritjen që Cyrihu ua rezervon të huajve që vijnë të jetojnë këtu. Organizata Secondos e ka shpallur Cyrihun si qytetin e dytë në Zvicër për nga trajtimi i mirë që u bën të huajve.
© albinfo.ch: Cristoph Meier
“Jemi të lumtur që nuk kemi zënë vendin e parë por vetëm të dytin, kështu që, nga ky pozicion kemi ende hapësirë për tu përmirësuar”. Kështu ka thënë kreu i qendrës për integrim të qytetit të Cyrihut, Cristoph Meier, duke iu drejtuar përfaqësuesve të shoqatave të të huajve të Cyrihut, të tubuar në mbrëmjen informative të mbajtur në qendrën “Casa d`Italia”, në Cyrih.
Ai më tutje ka shpalosur gjithë paletën e prioriteteve që ka qyteti i Cyrihut sa i takon integrimit të të huajve. “Mbajtja një herë në vit e një mbrëmjeje informative si kjo e sotmja, hyn në mesin e këtyre aktiviteteve”, ka thënë ai.
Meier ka njoftuar të pranishmit për zhvillimin më të ri në politikat e integrimit: vendimin që vetëm një ditë më parë e kishte marrë qyteti i Cyrihut për shtimin e theksuar të investimeve për informimin e të huajve në gjuhët e tyre amtare.
Qeveria e qytetit, sipas njeriut numër një për integrim, ka përcaktuar disa objektiva strategjike të politikës së integrimit, si nxitja e mësimit të gjuhës gjermane, sigurimi i barazisë së shanseve të të gjithë qytetarëve, nxitja e hershme e fëmijëve, pjesëmarrja në jetën shoqërore e të huajve, “kultura e mirëseardhjes” që duhet të kultivohet nga autoritetet e qytetit ndaj të huajve etj.
Ai ka përmendur se në Cyrih numri i qytetarëve me pasaportë të huaj është 30% ndërsa qytetarë zviceranë me prejardhje të huaj, janë 50 për qind. Kjo e bën qytetin e Cyrihut më të pasur por edhe më liberal dhe më kozmopolit ka thënë Meier.
Në Cyrih mund të vizitohen rreth 350 kurse të ndryshme për mësimin e gjermanishtes, ka shtuar Meier. Më tutje ai ka treguar se qendra që drejton ai organizon periodikisht ditët e vizitave në bashkësitë fetare të të huajve, për t`i shkrirë kështu barrierat në mes të komuniteteve.
© albinfo.ch: Anna Schindler
Drejtoresha e drejtoratit për zhvillimin e qytetit, Anna Schindler ka përshëndetur të pranishmit në emër të strukturave të qytetit të Cyrihut. Ajo ka njoftuar ata për rëndësinë që Cyrihu i kushton integrimit të të huajve, gjegjësisht për prioritetet e këtij qyteti në këtë drejtim.
Puna vullnetare bën pjesë në prioritetet për këtë legjislaturë, ka thënë Schindler. Kjo për faktin se në Zvicër kjo punë është shumë e përhapur dhe përmes saj forcohet përbashkësia. “Pa punën vullnetare nuk mund të merreshin me mend shumë aktivitete që sot zhvillohen në Cyrih”, ka shtuar ajo.
© albinfo.ch: Anne Rüffer
Janë prezantuar disa anëtare të Këshillit për të huajt, i cili funksionon në kuadrin e institucioneve të qytetit. Të intervistuara nga bashkëkryetarja, Anne Rüffer, ato kanë shpalosur veprimtarinë e tyre vullnetare në të mirë të komuniteteve që u përkasin.
© albinfo.ch: Emine Sariaslan
Kryetarja e Forumit për integrim të Migrantëve (FIMM) Emine Sariaslan ka informuar lidhur me forumin, që është organizatë çati e shoqatave të të huajve në Zvicër, me fokus në punën vullnetare që ka kryer ai.
“Ne si FIMM Kemi kryer punë vullnetare me vlerë prej rreth 300 mijë frangash”, ka thënë Sariaslan. Ajo ka përkujtuar se edhe të huajt kanë përvojat e punës vullnetare nga vendet prej nga vijnë. Në shumë raste kjo punë ka qenë e vetëkuptueshme dhe është kryer pa ndonjë bujë. Kështu, edhe puna vullnetare në Zvicër, ndonëse këtu bëhet në mënyrë të institucionalizuar, për ta nuk është ndonjë gjë e panjohur.
Në skenë janë ngjitur përfaqësues të disa organizatave që kryejnë punë vullnetare për integrim, të cilët kanë prezantuar subjektet e tyre.
Mbrëmja ka vazhduar me bashkëbisedimin spontan në mes të anëtarëve të shoqatave pjesëmarrëse krahas një aperoje të shtruar nga organizatori.
Për fund, mbase vlen të theksohet se në mesin e të gjithë atyre që u prezantuan ose që në ndonjë mënyrë ishin aktivë në këtë mbrëmje, nuk pati asnjë individ dhe as përfaqësues të ndonjë subjekti të këtushëm shqiptar. Ndërkohë që kishte italianë, turq, tamilë etj. Kur dihet se shqiptarët janë komuniteti i tretë i huaj në Cyrih, një mungesë e tillë flet mjaft për pasivitetin e komunitetit tonë në këtë qytet. Së paku!
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Baleti Kombëtar i Kosovës prezanton “Bolero” dhe “Correr o Fado” në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum Trupa kosovare u prezantua për herë të parë në Festivalin Ndërkombëtar të Baletit në Bodrum, duke... -
Itali
Romë: Arbenita Ibrahimi shkëlqen në skenën e “Notti Romane” -
Zvicër
Dr. Zana Spahija Taturi, gjinekologia shqiptare që po kontribuon në luftën kundër FGM/C -
Talentet e Kosovës synojnë Oxford-in, nis fushata për mbështetjen e nxënësve të rinj -
Romë
Nga Prizreni në Romë: Hira Haxhibeqiri po ngjitet në skenën e muzikës serioze
Jeta në Austri
-
Trenat e Aeroportit të Vjenës devijohen pas zjarrit në kabllon Praterstern Një zjarr në kabllo pranë stacionit Praterstern të Vjenës vazhdon të pengojë transportin publik në qytet.... -
Austri: Ka shtënë me armë mbi policët, burg i përjetshëm për kosovarin -
Vetëm 3 nga 30 kafenetë e Vjenës shërbejnë ujë falas -
Dhëniet e shtetësisë austriake rriten me 17% në gjysmën e parë të vitit 2026 -
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht











