Lajme

Cyrihu shqyrton dhurimin e biletave Interrail për të gjithë 18-vjeçarët

Propozimi në Cyrih: Biletë Interrail falas për çdo 18-vjeçar

Të gjithë të rinjtë që mbushin 18 vjeç në qytetin e Cyrihut mund të përfitojnë në të ardhmen një biletë ndërkombëtare treni Interrail, nëse miratohet një propozim i ri i paraqitur në këshillin komunal, përcjell albinfo.ch.

Deputetë nga partitë e Gjelbra dhe Socialdemokrate kanë kërkuar që qyteti t’u ofrojë të gjithë banorëve të rinj një biletë Interrail për ditëlindjen e tyre të 18-të. Qëllimi i kësaj nisme është të inkurajojë udhëtimet me tren në vend të fluturimeve ajrore dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në uljen e emetimeve të CO₂.

Sipas propozuesve, përvojat pozitive me udhëtimet hekurudhore mund t’i bëjnë të rinjtë më të prirur që edhe në të ardhmen të zgjedhin trenin si mjet transporti.

“Nga përvojat pozitive të udhëtimeve me tren lind gatishmëria për të vazhduar përdorimin e trenave edhe më vonë në jetë”, thuhet në arsyetimin e kërkesës.

Megjithatë, kjo masë do të kishte një kosto të konsiderueshme për qytetin. Sipas vlerësimeve, dhurimi i biletave për të gjithë 18-vjeçarët do t’i kushtonte Cyrihut rreth 1 milion franga çdo vit.

Këshilli i qytetit ka bërë të ditur se do ta shqyrtojë propozimin dhe më pas do të vendosë nëse një nismë e tillë do të zbatohet. /Albinfo.ch