Lajme

Çmimet e shtëpive në Zvicrën frankofone po rriten dy herë më shpejt se në pjesët e tjera të vendit

Rajoni i Liqenit të Gjenevës po përballet me mungesë të tokës ndërtimore, duke shtyrë lart çmimet e banesave

Çmimet e shtëpive individuale në Zvicrën frankofone janë rritur dukshëm më shpejt se në pjesët e tjera të vendit gjatë vitit të fundit, sipas një analize të publikuar nga banka Raiffeisen, transmeton albinfo.ch.

Të dhënat tregojnë se, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, çmimi i shtëpive njëfamiljare në rajonin frankofon është rritur me 6.3 për qind, ndërsa në Zvicrën Qendrore dhe në rajonin veriperëndimor rritja ka qenë rreth 3 për qind.

Sipas Raiffeisen, arsyeja kryesore e kësaj rritjeje është mungesa e tokës së lirë për ndërtim në rajonin e Liqenit të Gjenevës, ku kërkesa për prona vazhdon të jetë shumë e lartë, ndërsa oferta mbetet e kufizuar.

Ekspertët vlerësojnë se kombinimi i mungesës së tokës ndërtimore, interesit të lartë për banim në këtë rajon dhe ofertës së kufizuar po ushtron presion të vazhdueshëm mbi tregun e pasurive të paluajtshme.

Analiza tregon se rajoni frankofon vazhdon të jetë një nga tregjet më dinamike të pasurive të paluajtshme në Zvicër, me ritëm të rritjes së çmimeve dukshëm më të lartë se mesatarja kombëtare.