Lajme

Cilat janë pasojat e krizës së Ukrainës në tregun e patundshmërive në Zvicër

“Rritja aktuale e çmimeve të naftës dhe gazit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në familjet zvicerane dhe kostot shoqëruese të strehimit janë në rritje”, thotë Gzim Hasani, ekspert i finanancave në Zvicër

Zhvillimet dramatike në Ukrainë po ushtrojnë ndikimin e tyre në të gjitha fushat e jetës, prandaj edhe në tregun e paluajtshmërive, në Zvicër. Gzim Hasani, afarist i njohur, CEO i  Swiss Management Zürich AG, SMZH, njëherësh ekspert i financave flet për albinfo.ch lidhur me zhvillimet në këtë drejtim.

Albinfo.ch: Cilat janë efektet e konfliktit të Ukrainës në tregun zviceran të pasurive të paluajtshme?

Gzim Hasani: Në të kaluarën, normat e ulëta të interesit, inflacioni i ulët dhe rritja e fuqishme ekonomike kanë përshpejtuar një bum në tregun e pasurive të paluajtshme. Rritja aktuale e çmimeve të naftës dhe gazit ka një ndikim të drejtpërdrejtë në familjet zvicerane dhe kostot shoqëruese të strehimit janë në rritje.

Albinfo.ch: Dhe cilat janë pasojat që lidhen me gjithë këtë?

Gzim Hasani: Krahas rritjes së kostove të strehimit, ne po supozojmë se do të zvogëlohen edhe hapësirat e lira (të pashfrytëzuara). Këto hapësira ka mundësi të bien për të dytën herë radhazi, pjesërisht për shkak të rritjes së imigracionit nga mesatarja e vitit të kaluar prej 60,000 njerëz (neto). Kjo nga ana tjetër ka një ndikim edhe në kostot e strehimit.

Albinfo.ch: A janë pasuritë e paluajtshme ende një kategori tërheqëse për investim?

Gzim Hasani: Rritja e pritshme e qirave, kostot e hipotekave dhe një normë më e lartë referencë e interesit do të kenë ndikim në vlerësimin e pronave të investuara. Megjithatë, ne besojmë se investimi në asete të prekshme si pasuritë e paluajtshme, me një çmim tërheqës, është një investim afatgjatë dhe i arsyeshëm.

Albinfo.ch: Si e vlerësoni situatën me pasuritë e paluajtshme të zotëruara nga pronarët, siç janë shtëpitë dhe apartamentet e një familjeje?

Gzim Hasani: Këtu presim një zbutje të lehtë të rritjeve të theksuara të çmimeve në vitet e fundit, por jo korrigjim përkatës të çmimeve. Ashtu si dhe më parë, megjithatë, për shkak të çmimeve të larta, blerja është praktikisht e papërballueshme për shumë njerëz që kanë vullnetin për të blerë, prandaj kërkesa nuk do të rritet ndjeshëm.

Albinfo.ch: Si e shihni zhvillimin aktual të normave të interesit të hipotekave?

Gzim Hasani: Me inflacionin që pritet të rritet në rreth 2% në vitin 2022, po rritet gjithashtu edhe presioni për të rritur normat e interesit të hipotekave. Fillimi i konfliktit në Ukrainë dhe pasiguritë e lidhura me të, rezultuan në një relaksim afatshkurtër të situatës së normave të interesit. Inflacioni dhe pritjet për inflacionin duket se do të mbeten nxitësit kryesorë të zhvillimeve të ardhshme të normave të interesit. Ndikim do të kenë edhe hapat e mëtejshëm të Bankës Kombëtare të Zvicrës si dhe heqja e mundshme e normave negative të interesit.

Albinfo.ch: Cili është rekomandimi juaj nëse dua të marr një hipotekë sot?

Gzim Hasani: Edhe nëse normat historikisht të ulëta të interesit në sektorin e hipotekave i takojnë të kaluarës për momentin, ekzistojnë opsione interesante financimi, në varësi të situatës individuale. Ne analizojmë dhe këshillojmë klientët tanë në një qasje holistike (tërësore) dhe kemi mundësinë të rikthehemi në më shumë se 20 partnerë financues dhe të zgjedhim ofertën më të mirë.