Lajme

Çfarë duhet të bëjë Evropa për të parandaluar përmbytjet katastrofike?

Përmbytjet shkatërruese që goditën Gjermaninë dhe Belgjikën janë një paralajmërim i rreziqeve që i presin sidomos qytetet që ndodhen nën nivelin e detit, si pasojë e ndryshimeve klimatike që sjellin fenomenet e motit ekstrem.

Studimet kanë treguar që një atmosferë më e nxehtë mbart një sasi më ta madhe lagështie për një kohë më të gjatë, gjë që kontribuon jo vetëm në periudha më të gjata thatësie por edhe në shkarkime të papritura reshjesh të sasive të mëdha të mbartura të shiut.

Humbjet e jetës dhe dëmet materiale kanë vënë në punë studiuesit në gjithë Evropën për të gjetur mënyra se si mund të jemi më të përgatitur në të ardhmen.

Pra si mundet Evropa t’i mbrojë më mirë shtetet dhe qytetet e saj nga përmbytjet?

Kjo është një listë e shpejtë që tregon se si disa prej tyre po i bëjnë ballë rritjes së niveleve të detit.

Ndërtoni lart: Hamburgu

Pamje nga HafenCity, Hamburg. Gjermani. © Gunnar Ridderstorm

Në portin e dytë më të madh në Evropë, distrikti i ri HafenCity është ndërtuar në brigjet e lumit Elba – por nuk është i rrethuar nga digat e as nuk është i ndarë nga uji. Në vend të kësaj, zona është e ndërtuar e gjithë mbi plinte të ngritura, kështu që banorët jetojnë 8 metra mbi nivelin e detit.

Ndërtoni zgjuar: Roterdami

Qyteti holandez i Roterdamit, gjithashtu edhe porti më i madh i Evropës, gjendet në mes të bashkimit të lumit RheinMeuse dhe Scheldt. Për arsye se 90% e qytetit gjendet nën nivelin e detit, ky qytet synon të përgatitet për ndryshimet klimaterike para vitit 2025.

Për t’u bërë më rezistent ndaj përmbytjeve ata po vënë në punë metoda si fuqizimi i digave si dhe shtimi i gjelbërimit përgjatë të gjithë segmenteve lumorë, plus konvertimit të garazheve, parqeve dhe kopshteve në rezervuare të përkohshme në momentin që nivelet e ujit rriten.

Luftoni baticat: Venecia

Pamje nga një qytetar italian që kalon përmbytjet në San Marco, Venecia. © Egor Gordeev

Qytetit italian i Venecias është mësuar me përmbytjet dhe acqua alta e saj e famshme është kthyer edhe në një atraksion për turistët. Sidoqoftë, dëmtimet e rënda të vitit 2019 vunë në pah nevojën e një plan projekti të vonuar tashmë për përmbytjet, të titulluar Mose i cili është dizajnuar që në vitin 1984 dhe ende nuk ka përfunduar.

Ai është projektuar si një rrejt pengesash nënujore, të cilat kur aktivizohen ngrihen mbi sipërfaqen dhe parandalojnë baticat që vijnë nga Deti Adriatik, para se të përmbysin lagunën veneciane.

Për fat të keq, ky projekt është dëmtuar nga vonesat, akuzat për korrupsion si edhe paralajmërimet se mund të mos jetë zgjidhja e duhur për sfidat që e presin këtë vend si pasojë e ndryshimeve klimaterike dhe ngrohjes globale.

Ndërtoni me natyrën: Nijmegen

Rajoni i Nijmegen, Holandë nga Richard Brunsveld

Në vend që të ndërtojmë furishëm dhe gjithnjë e më tepër infrastrukturë, e cila mund të bëhet mjaft e vjetruar në momentin që përfundon, disa inxhinierë thonë se është me inteligjente të përdorim natyrën dhe të punojmë me forcat e erës, ujit dhe tokës natyrale në mënyrë që ta mbajmë ujin në nivele të përballueshme.

Holanda po punon me një program të quajtur “Room for the River” që zgjeron dhe thellon shtratet e lumenjve në mënyrë që të mbrojë qytetet dhe fshatrat nga përmbytjet: janë krijuar tunele ujore, janë shkatërruar ndërtesat e rrezikuara nga përmbytjet dhe janë ndërtuar pellgje grumbulluese plotësuese. Ndërkohë, kur nivelet e ujit rriten, zona bujqësore përmbyten me qëllim, në bashkëpunim me fermerët vendas.

Parqet sfungjer: Mançester

Koncepti i “qyteteve sfungjer” ka fituar popullaritet në Kinë, me anë të kopshteve ujitëse dhe fermave urbane që ndihmojnë në përthithjen e sasive të ujit që teprojnë.

Në zona të prekshme nga përmbytjet si Mançesteri, parku West Gorton është i dizajnuar për të parandaluar përmbytjet duke absorbuar ujin e shiut në mënyrë që ta shkarkojë atë gradualisht në sistemet e kanalizimit gjatë një periudhe kohe të caktuar, në vend që ta shkarkojë atë të gjithin menjëherë.

I hapur në qershor të vitit 2020, ai është quajtur “parku që pi ujë” pasi i ridrejton ujërat e përmbytjeve nga rrugët përreth në një seri mini-kënetash që më pas e transportojnë atë në ‘kopshtet e shiut’ të dizajnuara pikërisht për këtë qëllim./Euronews.al


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI