Të tjera
Bullgari: Fshati historik shqiptar, Arbanasi, me pamje mahnitëse, por i harruar
Fshati i fisëm Arbanasi, një ngulim historik shqiptar në Bullgari
Referuar shkrimeve për ngulimet e njohura shqiptare nga trojet kombëtare, një ngulim i madh e plot histori është një fshat i fisëm shqiptar, më saktësisht në Bullgari, pranë ish-kryeqytetit historik të këtij vendi, Veliko Tarnovos, i quajtur Arbanas.
Kisha e Shën Gjergjit në Arbanasi, ku thuhet se gjenden afresket e Nikolla Onufrit
Thuhet se fshati i fisëm Arbanasi ndodhet pikërisht në qendër të një grupi vendbanimesh, që përbëhet nga Veliko Tarnovo, Gorna Oriahovica dhe Liaskovec, në largësi rreth 4 km nga secili syresh. Ai gjendet në një pllajë (gjë që të kujton një tjetër ngulim të njohur të mërgatës mesjetare shqiptare) dhe pamje të mahnitshme nga fortesat mesjetare Carevec dhe Trepezica.
Po ashtu, fshati hamendësohet se është themeluar në shekullin XV nga shqiptarë ortodoksë të ardhur kryesisht nga Shqipëria Jugore, zona e Kosturit dhe Epirit, që merreshin me tregtinë e dhenve, që shpesh bashkë me dhentë e tyre rrugëtonin gjer në Danub dhe Vllahi dhe paskëtaj do ta shndërronin këtë zonë në vendbanimin e tyre.
Me një ferman të sulltanit Sulejman të Madhërishmit, fshati Arbanas i dhurohet dhëndrit të tij, Rustem Pashës, Vezirit të Perandorisë Osmane, i cili gjithaq njihet për origjinën e tij shqiptare nga burimet historike dhe sakaq ngulimi arbëror në tokat bullgare shpejt kthehet në një fshat të spikatur me banorë të kamur, të cilët tregtojnë dhen, mish, lëkurë, prodhime qumështi, bakër, sapun, qirinj, etj., duke shkelur çdo cep të Perandorisë, por edhe Vllahinë, Hungarinë, Poloninë, Principatën e Moskës, duke vajtur gjer në Bagdad, Indi dhe Persi.
Faktikisht, shqiptarët ortodoksë do të vendosen në disa ngulime në Bullgarinë Veriore, por me gjasë, ngulimi i parë i tyre do të jetë pikërisht Arbanasi pranë Veliko Tarnovos.
Janë pikërisht afresket dhe mbishkrimet e tjera kishtare të Arbanasit që dëshmojnë se ky ngulim themelohet diku nga mesi i shekullit XV. Ndërkaq, në dokumentet osmane të kohës, jo vetëm Arbanasi, por edhe ngulimet e afërta Gorna Oriahovica, Dolna Oriahovica dhe Liaskovec, quhen bashkërisht “Arnavud Kariyeleri”, pra “Fshatrat Shqiptarë”.
Nga të dhënat mesjetare, në vitin 1751 Arbanasi të ketë patur 236 shtëpi të krishtera shqiptare e gjithashtu dëshmohet për praninë e shqiptarëve edhe në fshatrat e tjerë të zonës, si ishuj të izoluar mes një deti popullsie bullgare.
Në gjysmën e parë të shekullit XVI Arbanasi zhvillohet si ngulim i kamur blegtorësh, artizanësh dhe tregtarësh. Do të ndërtoheshin plot kisha, me afreske të mahnitshme, krejtësisht të pahasshme tjetërkund në Bullgari.
Ndërkaq, edhe vetë arkitektura e Arbanasit të kujton fort Shqipërinë e Jugut, veçanërisht Gjirokastrën dhe Beratin, e një tjetër dëshmi e rëndësishme na vjen nga fakti se afresket e para të kishës së Shën Gjergjit në Arbanasi janë vepër e mjeshtrit Nikolla, biri i Onufrit të madh, por gjithashtu përveç Nikollës, birit të Onufrit, në kishat e Arbanasit haset edhe emri i ndihmësit të tij, Joanit.
Sot Arbanasi është një fshat turistik në Bullgarinë Veriore, me 330 banorë (kurse në pikun e zhvillimit, pati arritur thuajse në 3000 banorë), ku bullgarët e pasur kalojnë pushimet dhe kanë vilat e tyre, fshat ku vizitori mahnitet nga hijeshia, historia dhe doket e këtij ngulimi unik me një trashëgimi shqiptare kaq të prekshme.
Në Bullgari, siç pohon edhe historiani bullgar Bojan Gjyzelev, falë të cilit kemi fatin të njohim edhe shumë të dhëna lidhur me praninë arbërore në Bullgarinë mesjetare, ngulime shqiptare ka pasur edhe në Çervena Voda në zonën e Ruses buzë Danubit (tjetër përputhje interesante, pasi edhe në Shqipërinë Jugore kemi një qytezë, Çorovodën, me të njëjtën etimologji), në Poroishte (sërish të mbiquajtur Arnavutköy), sot lagje e qytetit të Razgradit, si dhe në Dobrina e Devnia, pranë qytetit të Varnës, nga ku rrjedhin shqiptarët e Ukrainës.
Elvi Sidheri




Të ngjashme
Të tjera nga Të tjera
E-Diaspora
-
Cyrih
Elbenita Kajtazi mbyll me sukses debutimin në Operën e Cyrihut Sopranoja shqiptare falënderoi dirigjentin, ekipin artistik dhe Operën e Cyrihut pas përfundimit të produksionit “Così fan... -
Gjermani
Oficeri i FSK-së, Bujar Ferizi, diplomon në Kolegjin Ndërkombëtar të Shtabit të Përgjithshëm në Gjermani -
Itali
Nga Gostivari në elitën e gastronomisë italiane, historia frymëzuese e shefit Erduan Rexhepi -
Oda Ekonomike e Kosovës fton bizneset në takimet B2B me diasporën -
Kosovare Asllani vazhdon kontratën me London City Lionesses deri në vitin 2027
Jeta në Austri
-
Vjena rrit taksën turistike Vjena po e rrit ndjeshëm taksën lokale për turistët - dhe kështu bëhet qyteti me taksën... -
Problemi i drogës po rritet në Vjenë -
„Dita Kulturore Shqiptare“ në Graz, simbol i bashkimit të shqiptarëve në diasporë -
Austri: Arrestohet kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht -
Austria ndryshon rregullat e përfitimeve familjare për refugjatët ukrainas














