Zhvillim

BERZH nënshkruan marrëveshje me Kosovën

Kryeministri Thaçi tha se strategjia e BERZH-it për Kosovën do të rezultojë me rritje dhe zhvillim ekonomik

Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Suma Chakrabati, nënshkruan një Marrëveshje për bashkëpunim ekonomik dhe për aktivitetet e BERZH-it në Kosovë. Me këtë marrëveshje BERZH vazhdon të ndihmojë rimëkëmbjen e ekonomisë kosovare.

Marrëveshja e cila mundëson shtrirjen dhe funksionalizimin e BERZH-it në tërë territorin e Kosovës, u nënshkrua në prani të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Ky i fundit tha se BERZH që nga viti 1999, përmes programeve të ndryshme ka dhënë kontribut të madh në fuqizimin e sektorit privat në Kosovë.

“Jam i sigurt se Kosova do të jetë përfituese e madhe në projekte të ndryshme. Dëshiroj t’iu falënderoj personalisht për kontributin tuaj dhe të ekipit tuaj që Kosova të bëhet anëtare e BERZH-it, edhe pse Kosovës ka qenë përfituese e programeve të ndryshme të BERZH-it edhe para se të bëhej anëtare”, tha fillimisht kryeministri Thaçi.

Deri në vitin 2012, BERZH, sipas kryeministrit, ka zgjeruar aktivitetin e investimeve në 66 milionë euro duke zbatuar kështu rreth 29 projekte të ndryshme në sektorin privat.

“Sot, falë përkrahjes së BERZH-it, ne kemi biznese private që janë lider në aspektin e teknologjisë që aplikojnë… Me anëtarësimin në këtë institucion, derisa përkrahja e sektorit privat do të vazhdojë, përfitues i programeve të BERZH do të jetë edhe sektori publik”, tha ai.

Në bashkëpunim me institucionet vendore është hartuar strategjia 3 vjeçare e BERZH-it për Kosovën. “Dua të besoj fuqishëm se kjo strategji do të implementohet në tërësi”, tha kryeministri Thaçi.

Tri orientimet strategjike të identifikuara në këtë strategji, sipas tij, përfshijnë: përkrahjen e privatizimit dhe zhvillimin e sektorit privat; përkrahjen e komercializimit, konkurrencës dhe përfshirjes së sektorit privat në infrastrukturë; si dhe promovimin dhe përkrahjen e zhvillimit të qëndrueshëm në sektorin e energjisë dhe mineraleve.

Ndërsa presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabati e falënderoi kryeministrin Thaçi për angazhimet e tij që Kosova të bëhet pjesë e kësaj Banke. Ai tha se gjithë Bordi dhe Menaxhmenti në BERZH janë të përkushtuar për të ndihmuar Kosovën për të kaluar tranzicionin drejt një ekonomie me treg të hapur.

“Ne duam të përmirësojmë jetën e njerëzve në Kosovë. Kryeministër, ju folët shumë hapur për projektet që ne tashmë i kemi arritur këtu, në 13 apo 14 vitet e fundit. Është e vërtetë se ne kishim projekte dhe mbi 60 milionë euro të investuara tashmë në këtë vend. Ky ishte vetëm fillimi” tha ai.

Presidenti Suma Chakrabati po ashtu tha se angazhimi do të rritet, pasi ekipi i BERZH-it që do të punojë në Kosovë do t’iu ofroj shanse të gjithë njerëzve për të pranuar mbështetjen nga ky institucion.