Kosova

BE-ja shpreh shqetësim për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara

Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, duke vlerësuar se ky veprim bie ndesh me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.

Zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se BE-ja vazhdimisht ka mbështetur punën e Dhomave të Specializuara të Kosovës si institucion i pavarur gjyqësor, përcjell albinfo.ch.

Sipas BE-së, Dhomat e Specializuara janë themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014–2015, veprojnë brenda sistemit juridik të Kosovës dhe janë të përcaktuara në Kushtetutën e vendit.

“Mandati dhe pavarësia e tyre aktuale duhet të respektohen plotësisht”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të BE-së për koha.net.

Bashkimi Evropian ka theksuar gjithashtu se Dhomat e Specializuara po e ushtrojnë mandatin e tyre mbi bazën e parimit të përgjegjësisë penale individuale.

BE-ja i ka bërë thirrje Kosovës që të respektojë obligimet e saj ndërkombëtare dhe të garantojë pavarësinë e Dhomave të Specializuara.

“I bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet obligimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe përkushtimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Ndërkohë, të martën, pak para përfundimit të afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës arritën marrëveshje për votimin në lexim të dytë të Projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Procesi është shoqëruar me tensione dhe protesta në Kosovë. Të martën u zhvilluan protesta, ku pati edhe përplasje dhe incidente, ndërsa kërkesa kryesore ishte votimi i projektligjit në lexim të dytë.

Protestat lidhur me proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së janë zhvilluar edhe më herët, në Kosovë dhe në vende të tjera ku jetojnë shqiptarë.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara dënuan me 25 vjet burgim Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin, 18 vjet Kadri Veselin dhe 13 vjet Rexhep Selimin./Albinfo.ch.