Futboll
AFP shkruan për karrierën e bujshme të Shaqirit: Vetëm Xhaka me më shumë paraqitje për Zvicrën
Xherdan Shaqiri njoftoi pensionimin e tij nga futbolli ndërkombëtar të hënën pas 125 paraqitjeve me Zvicrën dhe u bë lojtari i vetëm që ka shënuar në secilën nga tri Kupat e fundit të Botës dhe Kampionatet Evropiane, përcjell albinfo.ch.
Mesfushori Shaqiri, 32 vjeç, i cili tani luan me Chicago Fire në Shtetet e Bashkuara, është lojtari i dytë i Zvicrës me më shumë paraqitje pas bashkëlojtarit Granit Xhaka, me 130 paraqitje.
Ish-anësori i Bayern Munichut dhe i Liverpoolit bëri debutimin e tij ndërkombëtar në mars 2010, në moshën 18-vjeçare. Ai përfaqësoi vendin e tij në katër Kupa Botërore dhe tre Kampionate Evropiane.
Në atë që ishte ndeshja e tij e fundit për Nati-n, Shaqiri shënoi në penallti, teksa Anglia mundi Zvicrën 5-3 me penallti pas barazimit 1-1 në çerekfinalen e Euro 2024 në Duseldorf më 6 korrik.
“Shtatë turne, shumë gola, 14 vjet me kombëtaren e Zvicrës dhe momente të paharrueshme. Është koha për t’i thënë lamtumirë kombëtares. Mbeten kujtimet e mrekullueshme dhe ju them të gjithëve: faleminderit”, ka thënë ai në rrjetet sociale.
Shaqiri tërhiqet si golashënuesi i katërt më i mirë i Zvicrës me 32 gola, pas Alexander Frei me 42 dhe Kubilay Turkyilmaz dhe Max Abegglen me nga 34 gola.
Federata Zvicerane e Futbollit (SFV) tha se shumica e golave të tij ishin “bangers”.
Shaqiri shënoi për herë të parë për Zvicrën në humbjen 3-1 nga Anglia në Basel në vitin 2010, në paraqitjen e tij të shtatë.
Ai i shënoi të tri golat teksa Zvicra mundi Hondurasin 3-0 në Kupën e Botës 2014 në Brazil.
Goli i tij i fundit ndërkombëtar erdhi në Euro 2024, duke realizuar një super-gol jashtë 16-shit që çoi në barazimin 1-1 të Zvicrës me Skocinë në fazën e grupeve.
Ky gol do të thotë se ai u bë lojtari i vetëm që shënon në tri Kupat e fundit të Botës dhe në tri Eurot e fundit.
“Momente të veçanta”
Organi drejtues i SFV-së thuri lavde për gjurmët e Shaqirit në ekipin kombëtar të futbollit.
“Me Shaqirin, shkon edhe një pjesë e madhe e historisë së Natit. Vitet e fundit, mesfushori sulmues ishte njeriu për momente të veçanta”, tha SFV.
“Ju falënderojmë me gjithë zemër për angazhimet e shumta të paharrueshme dhe golat e asistimet e mrekullueshme në ekipin kombëtar dhe ju urojmë më të mirën për të ardhmen tuaj dhe shumë suksese”.
“Ju keni prekur dhe pushtuar zemrat tona me lojën dhe golat tuaja”.
Askush nuk ka shënuar më shumë gola për Zvicrën në turne finale sesa Shaqiri me 10: pesë në Euro dhe pesë në Kupat e Botës.
“Vetëm gjashtë lojtarë të tjerë kanë shënuar pesë ose më shumë gola në Euro dhe në Kupën e Botës: Michel Platini, Jurgen Klinsmann, Zinedine Zidane, Thierry Henry, Cristiano Ronaldo dhe Romelu Lukaku”, tha SFV.
I lindur në vitin 1991 në Kosovë, e cila atëherë ishte pjesë e Jugosllavisë, familja e tij emigroi në Zvicër në vitin 1992.
Përveç të bëmave të tij ndërkombëtare, Shaqiri fitoi Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Botës për Klube me Bayern Munich dhe Liverpool, plus tre tituj të Bundesligës dhe Premier League.
Ai gjithashtu fitoi tre tituj të ligës zvicerane në vitet e tij të hershme me Baselin, në një karrierë që e ka çuar edhe në Inter Milan, Stoke City dhe Lyon.
E-Diaspora
-
Një destinacion që quhet Kosovë! Për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg... -
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












