Shqipëria

Aeroporti i Tiranës dominon rajonin me 6 milionë pasagjerë, Prishtina e katërta

Tirana regjistroi rritje prej 17 për qind në gjashtëmujorin e parë të 2026-s, ndërsa Aeroporti i Prishtinës pati një rënie të lehtë prej 1 për qind.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës “Nënë Tereza” është renditur i pari në rajon për nga numri i pasagjerëve gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me rreth 6 milionë udhëtarë, përcjell albinfo.ch.

Sipas statistikave të prezantuara nga kryeministri shqiptar Edi Rama, Tirana ka shënuar rritje prej 17 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke lënë pas aeroportet e Beogradit dhe Zagrebit.

Në vendin e katërt renditet Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, me rreth 2.1 milionë pasagjerë. Megjithatë, krahasuar me vitin e kaluar, Prishtina ka shënuar një rënie të lehtë prej 1 për qind.

Rritje të ndjeshme ka regjistruar Aeroporti i Shkupit, me rreth 1.8 milionë pasagjerë dhe një rritje prej 29 për qind. Ndërsa Aeroporti i Ohrit ka pritur rreth 100 mijë pasagjerë, 18 për qind më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Të dhënat tregojnë një zgjerim të ndjeshëm të trafikut ajror në rajon, me Tiranën në pozitë dominuese dhe Shkupin ndër aeroportet me rritjen më të shpejtë, ndërsa Prishtina ka shënuar stabilizim të lehtë të numrit të udhëtarëve./Albinfo.ch