Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur të enjten në takim të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, përcjell albinfo.ch.
Sipas LDK-së, në takim është diskutuar për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë te situata në Kuvendin e Kosovës dhe procesi i konstituimit të institucioneve të reja.
Abdixhiku e ka njoftuar diplomaten amerikane për qëndrimet e LDK-së lidhur me krizën aktuale institucionale, duke ritheksuar, sipas njoftimit të partisë, përkushtimin për mbrojtjen e interesit të Republikës së Kosovës, funksionalitetin e institucioneve dhe stabilitetin institucional.
Takimi vjen në një kohë kur procesi i konstituimit të institucioneve të Kosovës vazhdon të jetë në qendër të zhvillimeve politike në vend./Albinfo.ch