Lajme
Abazoviç paralajmëron sanksione shtesë kundër Rusisë
Mali i Zi është i gatshëm t’i zgjerojë sanksionet kundër Rusisë për të mbështetur deri në fund politikën e jashtme të Bashkimit Evropian, tha të shtunën zëvendëskryeministri dhe mandatari për qeverinë e re të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, në një bisedë telefonike me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Sipas një deklarate të qeverisë së Malit të Zi, zoti Abazoviç dhe zoti Escobar shkëmbyen mendime për ngjarjet aktuale në Ukrainë dhe vlerësuan si thelbësore që vendet e Ballkanit Perëndimor të tregojnë vendosmëri në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe të qëndrojnë deri në fund së bashku me aleatët e tyre në BE dhe NATO.
“Mali i Zi është i gatshëm të zgjerojë gamën e sanksioneve për të ndjekur deri në fund politikën e jashtme të BE-së. Ne do të monitorojmë situatën me oligarkët rusë dhe do të marrim të gjitha masat në përputhje me ligjin nëse ata vijnë në Mal të Zi. Për të ruajtur stabilitetin dhe sigurinë e përgjithshme të vendit, ne po kryejmë aktivitete që synojnë luftimin e ndikimeve në Mal të Zi, të cilat më parë rezultuan me dëbimin e një diplomati rus nga Ministria e Jashtme”, tha zv/kryeministri Abazoviç sipas njoftimit.
Ai po ashtu ka thënë se Mali i Zi do të dërgojë ndihmë shtesë humanitare dhe financiare, por edhe ndihmë ushtarake, sapo të përfundojnë proceset e brendshme në vend.
Një ditë më parë Ministria e Jashtme e Malit të Zi njoftoi se kishte shpallur person të padëshiruar një diplomat të Ambasadës së Federatës Ruse në Podgoricë.
Personi në fjalë është Viktor Antipin, oficer i zbulimit dhe punonjës i Shërbimit Informativ rus.
Antipin, sipas njoftimit të Agjencisë së Sigurimit të Malit të Zi, u takua me përfaqësuesit politikë të Frontit Demokratik, e njohur si parti proruse.
“Arsyeja e marrjes së këtij vendimi është vlerësimi i organeve përkatëse të sigurisë në Mal të Zi për aktivitetet e diplomatit rus, të cilat janë në kundërshtim me Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Malit të Zi.
Mali i Zi vitet e fundit ishte në shënjestrën politike të Serbisë dhe Rusisë, të cilët bënë përpjekje për një grusht shteti në zgjedhjet parlamentare të vitit 2016 për ta parandaluar këtë vend ballkanik të anëtarësohet në NATO.
Gjykimi për grusht shteti në Mal të Zi u cilësua si “gjykimi i shekullit” për shkak të përfshirjes së agjencisë ruse të sigurimit shtetëror në komplotin e dyshuar./VOA
Të ngjashme
Të tjera nga Lajme
E-Diaspora
-
Yll Gashi vazhdon aventurën me Bayern Munichun, rinovon kontratën deri në vitin 2028 Talenti me prejardhje nga Kosova fiton besimin e klubit bavarez dhe pritet të jetë pjesë e... -
Amerikë
Desarta Rapushaj përfundon me sukses programin prestigjioz Fulbright në “Michigan State University” -
Zvicër
Fillojeta Makshana shpallet më e mira në gjuhën gjermane në komunën e Payernit të Zvicrës -
Paradoksi i kohës sonë: Arritjet e grave rriten, por edhe dhuna në familje -
AlphaTECH sjell zgjidhje të integruara të kallëpimit për projektet e ndërtimit
Jeta në Austri
-
Vjenë
Studentët nga Kosova shkëlqejnë në kampin ndërkombëtar të sigurisë kibernetike në Vjenë Lorik Kelmendi zuri vendin e parë në garën “AI Mini CTF”, Senad Mehmeti u rendit i... -
ÖBB rrit çmimet e biletave për shkak të kostove të larta të energjisë -
Gjykata austriake shpall të paligjshme tarifat e check-in dhe të imbarkimit në Ryanair -
20,000 persona kanë nënshkruar peticion për të hequr karrocat e kuajve nga Vjena -
Austri
Fejton Sylejmani diplomon me sukses në Universitetin e Salzburgut, fiton titullin Master i Arteve












