Integrimi
A e keni lexuar librin Mikesha gjeniale – Elena Ferrante
Ferrante shkruan nën pseudonim dhe qëndron larg syrit publik, me bindjen se sapo libri të përfundojë, autori nuk i duhet më…
Kur mendojmë për Napolin, shpesh mendja na shkon te pica më e mirë në gjithë Italinë. Ndonjëherë edhe te mafia italiane. Por ky qytet i ashpër dhe i bukur, i vendosur mes vullkanit dhe detit, na ka dhuruar edhe një margaritar në botën e letërsisë: një nga romanet më të rëndësishëm të shekullit XXI. Bëhet fjalë për librin Mikesha gjeniale (L’amica geniale) nga autorja misterioze italiane Elena Ferrante. Ky libër është vlerësuar si më i miri i 25 viteve të fundit nga The New York Times, në një sondazh ku morën pjesë 503 autorë bashkëkohorë.
Ferrante shkruan nën pseudonim dhe qëndron larg syrit publik, me bindjen se sapo libri të përfundojë, autori nuk i duhet më. Ironikisht, kjo prani e munguar i ka dhënë librave të saj një jehonë edhe më të thellë. Kritikët shpesh mendojnë se personazhi kryesor i këtij libri, Elena Greco, është një alter ego e autores dhe pikërisht kjo ndjesi e paqartësisë mes reales dhe trillimit e bën librin aq tërheqës, sa orët e vona të natës na gjejnë ende me librin në dorë.
Ky libër të kthen pas te miqësitë e para. Ato që lulëzuan kur përcillnim njëra-tjetrën nga sokaku në sokak, dhe që, me intensitetin e tyre, lanë gjurmë të përhershme në karakterin dhe kujtesën tonë. Përmes jetës së dy vajzave, Elena (Lenù) dhe Lila, Ferrante shtjellon me mjeshtëri temat e identitetit dhe mobilitetit social. Konsumerizmi paraqitet si një shenjë e kësaj lëvizjeje klasore, ndërsa shkollimi shihet si privilegj, jo si e drejtë për të gjithë. Edhe dinamika e familjes është e pranishme në këtë realitet, ku dhuna shpesh përdoret si forma më e zakonshme për të komunikuar apo për të zgjidhur konfliktet.
Për lexuesit nga trevat shqipetare ky libër flet në një gjuhë që shumë prej nesh e njohin pa e emërtuar dot. Ka momente e sfida që kërkojnë guxim, pendesa që kërkojnë falje, dhe sidomos ato çaste ku, si vajza, përballemi me zgjedhje jetësore mes asaj që duam, asaj që na ofrohet, dhe asaj që na kërkohet nga shoqëria.
Lenù dhe Lila janë dy botë të kundërta: njëra e bindur dhe e urtë, tjetra e guximshme dhe e egër. Miqësia e tyre është një lidhje e fuqishme, një forcë e palëkundur në jetën e secilës e shoqëruar herë me admirim e zili, herë me dashuri dhe zhgënjim.
Mikesha gjeniale e trajton miqësinë si një strukturë delikate dhe të ndërlikuar, por shpeshherë më të fuqishme se dashuria romantike. Ferrante, me një lehtësi befasuese, shpalos psikologjinë e këtyre dy personazheve dhe na hap një dritare përmes rreshtave të këtij romani, prej nga shohim jetën dhe mendimet e dy vajzave.
Ky roman është pjesë e serisë me katër vëllime të njohura si “Tetralogjia Napolitane”, ku përfshihen edhe: Mbiemri i ri (Storia del nuovo cognome), Ata që largohen dhe ata që qëndrojnë (Storia di chi fugge e di chi resta), dhe Historia e vajzës së humbur (Storia della bambina perduta).
Së bashku, këto vepra përfaqësojnë një portret të jashtëzakonshëm të Italisë se pas luftes së dytë botërore dhe të përballjes së grave me një shoqëri patriarkale që i teston në çdo hap.
Në një botë ku gratë shpesh shihen si rivale, mes sfidave të jetës dhe konstruksioneve shoqërore të thurura posaçërisht për to, Ferrante na kujton se miqësia mes dy vajzave e mes dy grave, mund të jetë një nga gjërat më të çmuara që kemi. Ajo na fton të ecim pas Lenùs dhe Lilës, me shpresën se diku, mes jetës së tyre, do të zbulojmë edhe copëza nga vetja jonë.
Pritë Bytyçi
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Arti shqiptar mahnit Berlinin me performancë ndërkombëtare Blenard Azizaj bashkë me Marina Abramović në një nga ngjarjet më të rëndësishme të artit bashkëkohor... -
Baleti Kombëtar i Kosovës me turne në Amerikën Latine, ndalet në Kolumbi me “Carmina Burana” -
Arrestohet në Belgjikë 29-vjeçari i dënuar për vrasje në Shqipëri -
Kosovë
Bullakaj pas takimit me Kurtin: Diaspora në Zvicër motor i zhvillimit për Kosovën -
Suedi
Albin Pllashniku, shembull suksesi i diasporës në Suedi
Jeta në Austri
-
Austri
Brendon Ahmeti nga Austria përfshihet në listën e Forbes me start-upin Synaps CEO dhe bashkëthemelues i Synaps në Vjenë, ai synon të revolucionarizojë dizajnin arkitekturor përmes inteligjencës artificiale... -
Kostot e strehimit për studentët në Austri rriten në 586 euro në muaj -
22 kompani të shqiptarëve nga Austria marrin pjesë në Samitin e Diasporës në Tiranë -
19 vjeçari që humbi jetën në Austri është nga komuna e Rahovecit -
Bien çmimet në pikat e karburanteve në Austri














