Pas betimit, Shiroka-Pula tha se e pranon me nder të madh dhe përgjegjësi të plotë detyrën e presidentes së Republikës së Kosovës, transmeton albinfo.ch.
Ajo theksoi se mandati i saj nuk i përket vetëm një personi, por qytetarëve dhe institucioneve të vendit.
“Ky mandat nuk i përket vetëm një personi. Ai i përket qytetarëve tanë, institucioneve tona dhe shtetit për të cilin shumë breza u sakrifikuan”, tha Shiroka-Pula.
Presidentja e re u zotua se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë politike, etnike apo shoqërore.
“Do të jem presidente e të gjithë qytetarëve, pa dallim politik, etnik apo shoqëror. Do të punoj për unitet, drejtësi, zhvillim dhe përforcimin e institucioneve tona”, deklaroi ajo.
Në fjalimin e saj, Shiroka-Pula theksoi gjithashtu orientimin euroatlantik të Kosovës dhe rëndësinë e marrëdhënieve me aleatët.
“Kosova duhet të ecë përpara si një shtet demokratik, i sigurt, me orientim të qartë euroatlantik dhe me miqësi të fortë me aleatët tanë”, u shpreh presidentja.
Ajo tha se do të punojë për mbrojtjen e Kushtetutës, interesit të Republikës dhe dinjitetit të qytetarëve.
“Do ta mbroj Kushtetutën, interesin e Republikës dhe dinjitetin e qytetarëve tanë. Besoj në Kosovën, besoj në njerëzit e saj dhe besoj se së bashku mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për brezat që vijnë”, tha Shiroka-Pula.
Në fund të fjalimit, presidentja e re e Kosovës e përmbylli adresimin me urimin për shtetin.
“Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!”, tha ajo./Albinfo.ch