E-Diaspora
Çnjerëzimi
Nuk ndalem së menduari për ato sulme të verbra të së premtes në Paris që papritmas morën jetën e dhjetëra personave të pafajshëm. Një ndjenjë e padrejtësisë dhe e revoltës më ka kapur sepse, pavarësisht të gjithave, fate të tëra janë thyer dhe ëndrra të familjeve të shumëta janë shkatërruar nga këmbëza e disa fanatikëve. Këto akte na prekin drejtpërdrejt, sepse ne, ose të afërmit tanë, mund të kishin qenë në mesin e viktimave, duke pasur parasysh që jemi të shumtë ata që e vizitojmë këtë qytet. Nuk ndalem së menduari për këtë fenomen të veprave makabre ekstreme dhe për vrasjet që këta shpirtra të zymtë i kryejnë qe shumë muaj dhe vite në botën arabo-myslimane mbi të pafajshëm, mbi femra, mbi fëmijë dhe minoritete të ndryshme, veçanërisht religjioze, sipas gjinisë apo seksit. Karshi dimensionit të këtij tmerri, ndjenja e pandëshkimit na kaplon.
Pyetja që gjithmonë ia kam bërë vetit, të jetë ajo në lidhje me këto ngjarje të errëta apo me historinë tonë ose në lidhje me dhunën e pranishme që del nga përditshmëria jonë, është ta dijë se si është e mundur që disa qenie njerëzore mund të jenë aq indiferentë ndaj jetës së dikujt, pavarësisht nga kauza ideologjike, politike ose të ashtuquajtur religjioze që ata mbrojnë? Edhe pse kemi të bëjmë me ekzekutues të pamëshirshëm, a ndiejnë ata së paku një grimë njerëzimi karshi viktimave të tyre? Si mund të ndodhë që një person të jetë i ndjeshëm, i dashur për rrethin e tij dhe, në të njëjtën kohë të bie në çnjerëzi dhe mizori?
Përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve nuk janë të lehta, por dhuna për të cilën jemi dëshmitarë tregon se kufiri mes dy botërave është i hollë dhe se metodat e dhunës ekstreme ndaj njerëzve kalojnë përmes çnjerëzimit të Tjetrit. Arkitektët e thurjes të kandidatëve për xhihad me sa duket kanë kuptuar natyrën e ndieshme të psikikës njerëzore. Ata e manipulojnë atë me një mekanizëm të shpëlarjes se trurit, e ndërtuar në mënyrë të ftohtë për të arritur qëllime politike të tmerrshme. Ata i shkëpusin të rinjtë nga rrënjët e tyre dhe i burgosin një kuadër ideologjik, i mbështjellë me një ndjenjë të hakmarrjes dhe kërcënimit për t’i transformuar ata në ekzekutues përbindësh.
Rikthimi në vlerat bazike, veçanërisht në ato të respektit të jetës së njeriut, kërkon punë të madhe. Rikthimi i jetës njerëzore në qendër nëpërmes një investimi në të gjitha drejtimet për ta rilidhur këtë lidhje të shkëputur nga ky proces i çnjerëzimit duhet të mbetet prioritet. Kjo punë duhet të fillojë me nxjerrjen nga ky izolim i të rinjve të rekrutuar ose që janë në atë proces për t’i plotësuar radhët e lëvizjeve politike-religjioze ultraekstremiste. Si shoqëri demokratike, ne e kemi atë kapacitet, paralelisht të tjera mundësive që tashmë imponohen, për t’i fshirë rrënjët e kësaj të keqeje dhe të kësaj spiraleje çnjerëzimi.
Dr. Bashkim Iseni
E-Diaspora
-
Ambasadorët dhe bizneset diskutojnë mundësitë për investime dhe bashkëpunim ekonomik Forumi Business to Ambassador (B2A), i zhvilluar në kuadër të Konferencës së IX të Ambasadorëve, mblodhi... -
Bebe Rexha arrin një tjetër sukses, “New Religion” kalon 100 milionë dëgjime në Spotify -
Prishtinë
Kontrollorët alarmojnë për lazerët ndaj avionëve në Prishtinë: “Rrezikohet siguria e qindra udhëtarëve” -
320 të rinj nga diaspora pjesë e programit OriginAL -
“Të largohesh apo të qëndrosh?” – Migrimi dhe dilemat e të rinjve në filmat e DokuFestit
Jeta në Austri
-
Austri: Arrihet marrëveshja, këta klientë të bankës marrin paratë mbrapsht Një "shpërthim i madh" të hënën në Austri! Klientët e Erste Bank dhe të shumë bankave... -
Gratë në Austri marrin rreth 40% më pak pension se burrat -
Vjenë: Vazhdon orari i zgjatur i pishinave -
Vjenë: 72-vjeçari dyshohet se kidnapoi dhe mbajti me dhunë një djalë 4-vjeçar -
Kosovë: Një jetë e re për qentë endacakë












