Pas mbylljes së qendrave të votimit në Zvicër, po publikohen rezultatet e para të katër referendumeve federale të kësaj të diele, më 29 nëntor.
Sipas projeksioneve të publikuara nga Swissinfo në orën 14:05, rreth 54 për qind e votuesve mbështesin lehtësimin e kufizimeve për eksportin dhe rieksportin e armëve, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, shumica e votuesve po kundërshton propozimin për rritjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), që synon financimin e pensionit të 13-të të skemës AHV. Sipas projeksioneve, rreth 54 për qind votojnë kundër kësaj reforme.
Propozimi parasheh rritjen e normës standarde të TVSH-së nga 8,1 në 8,5 për qind. Refuzimi eventual i tij nuk e anulon pensionin e 13-të, por krijon nevojën për gjetjen e alternativave të tjera të financimit.
Mbështetje të konsiderueshme po merr iniciativa për kufizimin e fishekzjarrëve të zhurmshëm. Rreth 61 për qind e votuesve mbështesin këtë propozim, i cili synon mbrojtjen e njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.
Ndërkaq, iniciativa për ruajtjen e tatimit të përbashkët të çifteve të martuara po përballet me kundërshtimin e rreth 59 për qind të votuesve.
Rezultatet paraprake:
Referendumi Pro Kundër
Lehtësimi i eksportit të armëve 54% 46%
Rritja e TVSH-së për pensionet 46% 54%
Kufizimi i fishekzjarrëve 61% 39%
Tatimi i përbashkët i çifteve të martuara 41% 59%
Numërimi i votave po vazhdon në kantonet zvicerane, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen të ditura gjatë orëve në vijim.