Gjeneva ka zgjeruar sistemin ndërkomunal të strehimit emergjent për personat në gjendje të pastrehësisë, duke vënë në dispozicion 548 vende që funksionojnë gjatë gjithë vitit. Gjatë aktivizimit të planit për të përballuar të ftohtin, qyteti do të ofrojë edhe 80 vende shtesë.
Në shtator, në Lancy janë hapur 45 vende për strehimin emergjent të burrave, të menaxhuara nga shoqata La Virgule. E njëjta shoqatë, nga janari, do të menaxhojë edhe 14 shtretër për gratë, ndërsa nga vera e vitit 2027 do të ofrojë edhe 19 vende për gratë dhe fëmijët.
Ndërkohë, në një objekt për strehimin e grave dhe fëmijëve në qytetin e Gjenevës do të shtohen edhe tri vende, duke e çuar kapacitetin e përgjithshëm të strehimit emergjent që funksionon gjatë gjithë vitit në 584 vende.
Me transferimin, në janar, të 80 vendeve të strehimit që aktualisht ndodhen në qytetin e Gjenevës drejt Vernierit, sistemi ndërkomunal do të përfshijë të gjithë territorin e kantonit. Kostoja e këtij sistemi në vitin 2027 pritet të arrijë në 27 milionë franga zvicerane, njoftuan të mërkurën autoritetet e qytetit të Gjenevës dhe Asociacioni i Komunave të Gjenevës.
Në vitin 2016, programi kishte vetëm 40 vende të hapura gjatë gjithë vitit dhe 200 vende të tjera që funksiononin vetëm gjatë muajve të dimrit. Miratimi i ligjit për asistencën ndaj personave të pastrehë në vitin 2021 dhe hyrja në fuqi e marrëveshjes ndërmjet komunave të Gjenevës në vitin 2023 mundësuan konsolidimin dhe zgjerimin e këtij shërbimi, i cili është falas për përfituesit. Një pjesë e objekteve menaxhohen nga organizata dhe shoqata në emër të komunave.
Strehim shtesë gjatë të ftohtit
Qyteti i Gjenevës financon edhe strehën e mbrojtjes civile në Champel, me kapacitet prej 80 shtretërish, e cila hapet kur aktivizohet plani për përballimin e temperaturave të ulëta. Ky plan mund të aktivizohet nga mesi i nëntorit deri në mesin e prillit, në varësi të parashikimeve meteorologjike.
Nga nëntori deri në fund të prillit, ekipet e Shërbimeve Sociale të qytetit realizojnë edhe vizita dhe patrullime gjatë natës për të identifikuar dhe ndihmuar personat e pastrehë, krahas aktiviteteve të tyre gjatë ditës, të cilat zhvillohen përgjatë gjithë vitit.
Kur aktivizohet plani emergjent për të ftohtin, Shërbimi i Mbrojtjes Civile i qytetit i dyfishon patrullimet gjatë natës dhe, nga nata e katërt, merr përsipër menaxhimin e strehës në Champel.
“Politika e termometrit” duhet të marrë fund
Në një intervistë për emisionin e mëngjesit të RTS-së, këshilltarja administrative e qytetit të Gjenevës, Christina Kitsos, përgjegjëse për kohezionin social, ritheksoi nevojën për të mos e kufizuar strehimin emergjent vetëm në periudhën e dimrit.
“Vetëm para disa vitesh, vendet e strehimit hapeshin në tetor dhe mbylleshin në mars. Pra, ishte një sistem i orientuar vetëm drejt dimrit. Por, problemi i varfërisë, margjinalizimit ekstrem dhe përjashtimit është i pranishëm gjatë gjithë vitit. Ai nuk lidhet me motin apo vetëm me periudha të caktuara”, deklaroi Kitsos.
Ajo tha se synimi ka qenë krijimi i kapaciteteve të qëndrueshme të strehimit gjatë gjithë vitit, si dhe sigurimi që shumica e këtyre vendeve të ofrojnë shërbim 24 orë.
“Është një angazhim i rëndësishëm, i cili është rritur vit pas viti, për të arritur në rreth 580 vende”, tha ajo.
Personat që kanë nevojë për strehim emergjent mund të paraqiten përmes linjës telefonike pa pagesë, në numrin 0800 22 22 10. Në këtë numër mund të raportojnë edhe qytetarët që vërejnë persona të pastrehë në nevojë për ndihmë. Në rastet e urgjencës që rrezikojnë jetën, duhet të thirret numri 144.