Italia po përjeton një transformim të thellë demografik. Sipas raportit të Institutit për Financat dhe Ekonominë Lokale (IFEL), familjet njëpersonëshe janë bërë forma më e përhapur e familjes në vend.
Në periudhën 2024–2025, ato përbënin 37,1% të totalit, nga 25,9% dy dekada më parë. Në vitin 2050, kjo përqindje pritet të arrijë në 41,1%, ndërsa 59% e personave që do të jetojnë vetëm do të jenë të moshës 65 vjeç e lart.
Italia është tashmë vendi me popullsinë më të plakur në Evropë, me mbi 14,5 milionë banorë të moshës 65 vjeç e lart, ose 24,7% të popullsisë.
Situata është shqetësuese edhe për lindshmërinë. Vetëm 585 bashki italiane, ose 7,4% e totalit, regjistrojnë më shumë lindje sesa vdekje, shkruan Scan, transmeton albinfo.ch.
Ndërkohë, italianët jetojnë mesatarisht 83,7 vjet, por jetëgjatësia në gjendje të mirë shëndetësore është vetëm 59,1 vjet. Rreth 30% e personave me kufizime të rënda funksionale jetojnë vetëm.
Më pak fëmijë, familje më të vogla dhe më shumë të moshuar që jetojnë vetëm pritet të rrisin presionin mbi sistemin e mbrojtjes sociale dhe shëndetësore.
Italia e së ardhmes rrezikon të përballet jo vetëm me krizën e lindshmërisë, por edhe me krizën e vetmisë.