Skip to content

Parlamenti Evropian miraton marrëveshjet  mes Zvicrës dhe BE-së

(KEYSTONE/Gaetan Bally)

Parlamenti Evropian ka miratuar paketën e marrëveshjeve Bilaterale III mes Zvicrës dhe Bashkimit Evropian, me 584 vota pro, 13 kundër dhe 60 abstenime, në një votim të zhvilluar të mërkurën në Strasburg.

Marrëveshjet synojnë përditësimin e bashkëpunimit ekzistues dhe zgjerimin e tij në fusha të reja, përfshirë energjinë elektrike, shëndetësinë dhe sigurinë ushqimore, si dhe lehtësimin e jetës së përditshme të qytetarëve, veçanërisht të punëtorëve ndërkufitarë.

Parlamenti Evropian e vlerësoi paketën si të balancuar, duke theksuar ndërvarësinë ekonomike dhe marrëdhëniet e ngushta mes Zvicrës dhe BE-së. Krahas miratimit të marrëveshjeve, eurodeputetët miratuan edhe një raport shoqërues për marrëdhëniet bilaterale.

Raporti përfshin edhe rekomandime për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të tjera, ndër to shërbimet financiare dhe pjesëmarrja e Zvicrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së. Eurodeputetët i kanë bërë gjithashtu thirrje Brukselit që Zvicra të përfshihet në rregullat e roamingut, duke vlerësuar se tarifat aktuale përbëjnë barrë për qytetarët, punëtorët ndërkufitarë dhe bizneset e vogla e të mesme.

Megjithatë, paketa është përballur me rezerva nga disa grupe politike, kryesisht lidhur me përafrimin dinamik të legjislacionit zviceran me atë të BE-së, mekanizmin për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe politikat mjedisore e klimatike.

Në Zvicër, procesi i shqyrtimit të marrëveshjeve vazhdon. Këshilli i Shteteve i ka miratuar ato me disa ndryshime, ndërsa shqyrtimi i marrëveshjes për energjinë elektrike është shtyrë. Paketa pritet të shqyrtohet nga Këshilli Nacional gjatë sesionit dimëror, ndërsa referendumi konsiderohet i pashmangshëm.

Për hyrjen në fuqi të marrëveshjeve, ato duhet të miratohen edhe nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.